Nga ligji i luftës tek të drejtat e emigrantëve, ja mesazhet e Ramës në fjalimin që mbajti në Greqi

Kryeministri Edi Rama u takua dje me shqiptarët ne Greqi, ndërsa disa nga mediat greke e quajtën atë një “mysafir të paftuar”, “falsifikues të historisë” dhe provokator.

Por përtej atyre që u shkruajt në shtyp pas fjalimit të kryeministrit shqiptar, ccfarë tha Edi Rama përpara bashkëatdhetarëve të tij?

Kryeministri e nisi me mesazhe atdhetare, duke prekur më pas diskriminimin që u është bërë shqiptarëve në Greqi, ndërsa tha se ata nuk janë më të ardhurit e leckosur po janë përfaqësuesit e një vendi krenar që është Shqipëria. Kjo sigurisht u prit me brohorima nga shqiptarët që kanë vuajtur ndër vite me damkën e të huajit dhe kanë luftuar me racizmin, ndërkohë që jetonin dhe punonin në Greqi.

 ndërsa kujtoi peripecitë e emigracionit, Rama nuk nguroi të përmendë edhe operacionet “Fshesa”, të zbatuara nga policia greke gjatë kohës që kryeministër ishte Konstandin Mitsotakis, babai i kryeministrit të sotëm grek, Kiriakos Mitsotakis.

Më pas kryeministri përmendi problemet e minoritetit grek në Shqipëri, ku u shpreh se patjetër që edhe ata kanë halle, por jo për shkak të kombësisë dhe problemet e tyre nuk janë të ndryshme nga ato të qytetarëve shqiptarë. Rama kërkoi në këtë çështje respekt reciprok nga Greqia.

Ai nuk ngurroi të pëmendte edhe marrëdhëniet politike të dy vendeve që prej themelimit të shtetit tonë, ku theksoi se Greqia mban akoma në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë, duke e konsideruar këtë një absurditet.

“Ai ligj i 10 nëntorit 1940 përcakton ç’bëhet me pronat dhe me shtetasit e vendeve në gjendje lufte dhe po atë ditë me dekret mbretëror ligjërohet që gjendja e luftës më Italinë dhe me Shqipërinë. Në vitin 1947 Greqia ratifikon traktatin e paqes me Italinë dhe gjendja e luftës mbaron. Ndërsa me Shqipërinë dekreti i gjendjes së luftës dhe për rrjedhojë pasojat e ligjit të luftës, mbeten në fuqi sot e gjithë ditën megjithëse në vitin 1998 të dyja shtetet kanë miratuar traktatin e miqësisë. Po si ka mundësi në mes dy shtetesh që kanë nënshkruar një traktat miqësie, që janë bashkë në NATO prej 15 vjetësh, të mos jetë shfuqizuar akoma gjendja e luftës bashkë me pasojat e një ligji lufte të 84 viteve më parë”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha para emigrantëve se me Greqinë, është arritur të çelen negociatat për një marrëveshje mbi pensionet, një shqetësim i madh për komunitetin shqiptar atje, duke qenë se ky vend fqinj është vendi ku ka më shumë emigrantë shqiptarë.

“Besojmë se pas realizimit të marrëveshjes për pensionet me Italinë, kemi dhe një referencë shumë positive. Po ashtu dhe besoj që kjo ju intereson shumë, kemi hapur edhe dialogun dypalësh në nivel teknik për problematikën e lejeve të qëndrimit dhe procedurën e marrjes të shtetësisë me natyralizim dhe ka goxha progres dhe unë jam besimplotë që shumë shpejtë ju do të merrni lajme shumë të mira”, tha Rama.

Kryeministri foli edhe për marrëdhëniet me kryeministrin aktual Mitsotakis, duke shprehur vlerësime për homologun e tij, ndërsa nuk harroi të bënte edhe ftesat për investime.

Ajo që ra në sy ishte se Rama nuk përmendi në asnjë moment Fredi Belerin, një nga emrat dhe çështjet më të diskutuara vitin e fundit në marrëdhënien mes dy shteteve, aq sa Greqia ka vendosur veton për bllokimin e hapjes së negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.