Ka pak raste në politikën shqiptare ku një familje arrin të prodhojë kaq shumë humor të zi me drejtësinë sa vëllezërit Veliaj.
Njëri në qeli, tjetri në korridoret e SPAK-ut, të dy me një gjuhë të ëmbël për prokurorët që në fakt i hetojnë. Njëri i quajti “kolegë”, tjetri u shfaq si “vullnetar”.
Erion Veliaj, dikur kryebashkiak i Tiranës, u përpoq vitin e kaluar të bindte publikun se marrëdhënia e tij me SPAK-un ishte normale, madje miqësore. Me një buzëqeshje plot vetëbesim, deklaroi se prokurorët i kishte “kolegë”.
Fjalë që u kthyen në meme e tallje pa fund. Sot, i njëjti “koleg” i SPAK-ut mban pranga dhe e sheh botën nga qelia. Karriera e tij politike përfundoi aty ku s’e imagjinonte askush: jo mes kolegëve të bashkisë, por mes kolegëve të qelisë.
Sot ishte radha e vëllait, Arbër Veliaj. Me ton të qetë, ai tha se kishte shkuar në SPAK “vullnetarisht”, për të bashkëpunuar me drejtësinë.
Por të gjithë shqiptarët e dinë se në Shqipëri askush s’shkon në SPAK nga qejfi, pasi fletëthirrja nuk është ftesë për dasmë, por një detyrim ligjor.
Ndërkohë, retorika e Veliajve është tjetër: çdo takim me prokurorët është ose shenjë miqësie, ose akt dashurie për të vërtetën, sipas tyre.
Në fakt, kjo është një strategji e konsumuar politike: kur SPAK të heton, bëhu viktimë ose deklaro se po bashkëpunon, sepse tingëllon më bukur për publikun dhe lë një fije shprese se ndoshta do të marrësh një dënim më të lehtë.
Kjo “dashuri” e papritur e vëllezërve Veliaj për SPAK-un është një dashuri e detyruar, e lindur vetëm pasi erdhën hetimet dhe prangat në duart e njërit prej tyre.
Në fund, historia mbetet e njëjtë: nga ‘kolegu’ tek ‘vullnetari’, rrugët e Veliajve drejt drejtësisë janë të shtruara me fjalë të bukura, por me akuza të rënda.