Një lajm i trishtë sot për Shqipërinë erdhi nga bota e artit, pasi kolosi i letrave shqiptare Ismail Kadare është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare.
Kadare u gjet i pajetë nga familjarët dhe u dërgua në QSUT. Shkrimtari kishte pësuar arrest kardiak respirator. Ai u shpall i vdekur mëngjesin e sotëm, 1 korrik 2024.
Po kush ishte Ismail Kadare?
Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale.
Shkrimtari i madh lindi në qytetin e Gjirokastrës. Atje ai kaloi fëmijërinë dhe kjo la gjurmë të thella në gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Asim Zeneli”.
Vitet e hershme
U lind më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës, në një familje bektashie qytetare, i biri i Halit Kadaresë dhe Hatixhes nga Dobatët, duke patur kështu nga e ëma paraardhës bejtexhiun Hoxhë Dobi. Emrin ia dhanë në kujtim e nderim të gjyshit; çifti pati edhe dy fëmijë të tjerë, Kadrijen (1937-2022) dhe Shahinin (1943-2021). Në vogëli kalonte shumë kohë te biblioteka e gjyshit nga e ëma, që ishte gjykatës i shkolluar në Stamboll. I ati ka punuar si postier i gjykatës së qytetit, më 1920 qe ndër 218 vullnetarët gjirokastritë që morën pjesë në Luftën e Vlorës.
Kur u vendos regjimi komunist në Shqipëri ai ishte vetëm 8 vjeç. Shkollën fillore dhe të mesme e mbaroi në Gjirokastër. Në moshën 12 vjeçare u arrestua nën akuzën “falsifikues monedhash”, meqë gjatë lojës me shokun e tij kishin krijuar me plumb të shkrirë monedha 5-lekëshe dhe ia kishin treguar gjithkujt me hare. Policia i arrestoi gjatë orës së mësimit në shkollë, dy ditë përpara ditës së votimeve dhe Ismaili bëri dy ditë burg derisa ndërhyri avokati i Kadarenjve dhe e liruan për shkak të moshës së mitur.
Në një rrëfim vite më vonë ai tregonte:
Unë kam qenë 12 vjeç dhe bashkë me një shokun tim të klasës na tha mendja, e shkurtër në këtë rast, që ngaqë gjetëm ca shkronja plumbi, me të cilën shtypeshin librat, t’i shkrinim e të bënim lodra me to. Na shkrepi në kokë të bënim 5- lekëshe. Në një vend kishte vajtur motra e vogël e këtij shokut tim të blinte pasta e akullore. Lajmëroi policinë, së cilës iu duk një kuriozitet i madh që në qytetin tim s’kishte pasur rast ndonjëherë të zbuloheshin monedha false, se është një gjë shumë e komplikuar, e vështirë për t’u bërë dhe nuk mund të merret seriozisht, aq më tepër kur e bëjnë ca kalamaj. Por kjo s’e pengoi policinë të na arrestojë në orën e mësimit. Ne u bëmë të famshëm për keq…. Kjo histori mezi u harrua, por kjo s’i pengoi më vonë të ma përmendin dhe në biografinë time, kur unë ndërkohë botoja libra. Ca më bëri mirë kjo, ca më bëri keq, u bëra si figurë kurioze, por kur je në atë moshë, nuk të bën fort përshtypje. Kjo ka qenë aventurë e parë e imja.
Ishte Makbethi i Shekspirit që i zgjoi dashurinë për letërsinë në moshën 13-vjeçare. Në këtë moshë shkroi tregimet e para, të cilat i botoi te revista “Pionieri” në Tiranë. Në moshën 17-vjeçare shkroi dy poezi për Stalinin, gjë që sipas Malcolm, ndihmoi në botimin e librit të tij të parë në moshën 18-vjeçare, një përmbledhje poetike e titulluar “Frymëzime djaloshare” (1954); Ai u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976)..
Më pas kreu studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Në kryeqytet jetonte te shtëpia e tezeve dhe pastaj për gati dy vjet (1957-58) jetoi me Nasho Jorgaqin. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua për Mësuesi. Shkroi romanin e tij të parë Mjegullat e Tiranës, të cilin e përfundoi në prag të vijimit të studimeve në Bashkim Sovjetik. Në vitet 1958-1960 studioi në Moskë, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”, gjatë periudhës së zbutjes hrushoviane. Atje pati mundësi të lexonte letërsi bashkëkohore perëndimore, e cila kishte filluar të përkthehej në rusisht.
Në institutin Gorki të Letërsisë Botërore në Moskë, vendosi t’i hedhë poshtë kanonet e realizmit socialist dhe të shkruajë të kundërtën e asaj që dogma komuniste e quante letërsi “të mirë”.
Këto studime iu ndërprenë për shkak të krizës politike ndërmjet Shqipërisë dhe ish Bashkimit Sovjetik.
U kthye në atdhe ku nisi punën si gazetar dhe i mëshoi karrierës letrare,por edhe si redaktor i seksionit të letërsisë së huaj në revistën letrare “Drita”.
Kadare është shkrimtari që i ktheu mitet legjendare në realitet, shkrimtari që bëri histori prej prehistorisë; pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern, ai arsyetoi estetikisht në mënyrë të përkorë dhe për kohën absolute.
Në Shqipërinë e ndodhur në udhëkryq vepra e Kadaresë ka qenë dhe mbetet një shpresë apo një ogur i bardhë për të.
Vepra e Ismail Kadaresë është përkthyer në 32 gjuhë të huaja duke arritur kështu një rekord të përhapjes në tërë botën e qytetëruar.
Suksesi ndërkombëtar dhe problemet me udhëheqjen komuniste
Në vitin 1963 e botoi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që trajtonte temën e një gjenerali italian dhe një prifti që vijnë në Shqipëri për të marrë eshtrat e ushtarëve italianë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. Romani pasues, “Përbindëshi”, u botua në revistën “Nëntori”, por u ndalua.
Në fillim të vitit 1970 shtëpia botuese franceze “Albin Michel” botoi në frëngjisht romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Ai pati jehonë të jashtëzakonshme në Francë dhe brenda tri vjetësh u përkthye në gati 20 gjuhë.
Më tej iu rikthye prapë temave historike. Shkroi e botoi romanet “Kështjella” (1970) dhe “Kronikë në gur” (1971), të cilat u botuan në Francë njëra pas tjetrës. Gjatë këtyre viteve drejtonte po ashtu revistën e vetme në gjuhë të huaj të Lidhjes së Shkrimtarëve, “Les Lettres albanaises”. Pas suksesit në Francë, e caktuan deputet dhe pas dy vitesh u anëtarësua në Partinë e Punës të Shqipërisë.
Pas publikimit të dy romaneve me temë historike, Kadare u përball prapë me kritikat për shmangien e temave “aktuale”, prandaj mendoi të shkruante një roman me temë prishjen e Shqipërisë me vendet e tjera komuniste në dimrin e viteve 1960-1961, që pastaj t’i kishte duart e lira t’u rikthehej historisë dhe legjendave shqiptare për të cilat kritikohej që e kishte lënë pas dore Shqipërinë e Re. Romanit i vuri titullin “Dimri i vetmisë së madhe”. Sapo doli në fillim të vitit 1973, në sajë të kritikave, u përpunua dhe u ribotua në vitin 1977 nën titullin e ndryshuar “Dimri i madh” dhe u përkthye edhe në frëngjisht.
Vitet ’80
Në vjeshtën e 1980 vizitoi Kosovën me rastin e botimit të parë të kompletit të veprave të tij në Prishtinë. U prit institucionalisht dhe pati takime të shumta me lexues dhe intelektualë të Kosovës dhe u njoh me preokupimet e shqiptarëve.
Më 17 dhjetor 1981 kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu u gjet i vdekur, më pas u shpall tradhtar dhe poliagjent. Një ditë para varrimit të Shehut, shkrimtarët dhe artistët u ftuan në një ekspozitë arti ku do të merrte pjesë vetë Enver Hoxha, mirëpo Kadare nuk u ftua. Po atë vjeshtë kishte dorëzuar për botim romanin Koncerti në faqet e të cilit përmend mënyrën me të cilën diktatori kinez Mao Ce Duni kishte eliminuar zëvendësin e tij Lin Biao duke e paraqitur si aksident ajror. Në janar të vitit 1982 dritaret e shtëpisë së Kadaresë u thyen me gurë, ndërkaq para shtëpisë u organizuan mitingje duke ulëritur “Kadare, agjent i borgjezisë, agjent i Mehmet Shehut.”
Vitet 1981-1982 situata u bë e nderë, edhe për shkak të dëshmive që dhanë në hetuesi familjarët dhe bashkëpunëtorët e kryeministrit që u gjet i vdekur, Kadaresë po i përflitej akuza për sabotazh të Partisë në letërsi, art, kulturë dhe pjesëtar i grupit të Shehut. Në një mbledhje të fshehtë të shtatorit 1982, Hoxha e përmend si pjesë të një grupit të Lubonjës dhe Paçramit.
Duke iu bërë bashkë akuzat si bashkëpunëtor i Shehut dhe përmbajtja e romanit Pallati i ëndrrave, qe gati për t’u dënuar, por i shpëtoi arrestimit për shkak të njohjes ndërkombëtare. Në një shkrim të revistës franceze Lire, Bernard Pivot shkroi se Franca ishte e shqetësuar për faktin që Kadare nuk po i përgjigjej ftesës për të shkuar në Paris, duke shkruar “Ne presim Ismail Kadarenë dhe jo kokën e tij në pjatë …”. Më 1983 e lejuan t’i përgjigjet ftesës franceze dhe të vizitojë Francën pa familje ndërsa gruaja dhe vajzat mbaheshin në Shqipëri si mjet presioni.
Romani i radhës Nata me hënë i dalë në fillim të 1985, u ndalua. Të nesërmen e vdekjes së diktatorit, më 10 prill, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve, Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror të Partisë Komuniste organizuan me ngut një mbledhje për të dënuar romanin e fundit të tij.
“Kadare dezertoi”, arratisja nga Shqipëria
Në vitin 1989 autoritetet e caktuan zv/kryetar të Frontit Demokratik. Duke shfrytëzuar famën e tij në Shqipëri dhe jashtë saj bëri deklarata gjithnjë e më të zëshme mbi domosdoshmërinë e ndryshimeve, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut. Në parathënien e romanit të guximshëm Thikat (1989) nga Neshat Tozaj që denonconte shkeljet e Sigurimit, Kadare pohoi se vetëm duke pranuar dhe korrigjuar gabimet e mëparme mund të ecte Shqipëria përpara. Në shkurt 1990 Kadare kërkoi një takim me Ramiz Alinë ku i kërkoi të respektonte të drejtat e njeriut, të zbatonte reforma demokratike, reforma ekonomike dhe të hapej ndaj botës së jashtme.
Në fund të tetorit të vitit 1990 u lejua të ikte për mjekim në Francë sipas një burimi, sipas një tjetri e iku me vizë të rregullt për gjithë familjen e tij. Ikja e tij u mirëprit nga ata që donin demokratizimin e Shqipërisë, kurse pas arratisjes u shpall tradhtar dhe Ramiz Alia kërkoi ndjekjen penale të tij. ATSH deklaroi: “Kadare dezertoi!”. Disa intelektualë, përkundër rrezikut që u kanosej, e përkrahën publikisht Kadarenë, të cilin autoritetet e kishin shpallur tradhëtar. Për shkak të popullaritetit të tij, autoritetet nuk gjetën përkrahje të mjaftueshme kundër tij dhe librat e tij nuk u ndaluan. Pak ditë pas arratisjes së Kadaresë, në një konferencën kombëtare të letrarëve e artistëve të rinj në Korçë, ku morën pjesë me qindra, u përshëndet me brohorima emri i shkrimtarit, arratisja e të cilit e kishte bërë të ndaluar përmendjen e emrit të tij.
Rikthimi
Pas fitores së Partisë Demokratike në vitin 1992, Kadare u kthye në Shqipëri. Nga viti 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare, brenda dhe jashtë vendit. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar, duke shtuar lirinë e autorit për të trajtuar tema që më parë nuk mund të trajtoheshin lirshëm.
Në vitin 1996 u pranua në Akademinë e Shkencave Sociale dhe Politike në Francë, ku zëvendësoi filozofin Karl Popper. Nga viti 1994 deri 2004 shtëpia botuese franceze “Fayard” botoi veprën komplet të Kadaresë në frëngjisht dhe shqip. Gjatë viteve ’90 ai ndihmoi botimin e shumë autorëve shqiptarë në Francë, qoftë duke ua sugjeruar botuesve francezë, qoftë duke ua shkruar parathëniet. Në vitet ’90 Kadare loboi për Kosovën dhe përkrahu bombardimet e NATO-s kundër Serbisë.
Ndër vite ka deklaruar se ka hequr dorë nga shkrimi i poezive (1997) dhe letërsisë artistike (2011).
Vlerësimet nga ndërkombëtarët
Kadare është shkrimtari i vetëm shqiptar me njohje ndërkombëtare të gjerësishme dhe është përkthyer në 45 gjuhë. Para Kadaresë, letërsia shqipe njihej pak në botë. Falë tij u bë e njohur, e lexuar dhe e çmuar. Për herë të parë në historinë e vet, nëpërmjet tij, letërsia shqipe është integruar në letërsinë evropiane dhe botërore, dhe përfaqësohet denjësisht në hartën e tyre. Letërsia e Kadaresë ka dhënë një kontribut të çmuar në krijimin e gjuhës dhe letërsisë kombëtare.
Është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1992 u vlerësua me “Prix Mondial Cino Del Duca”. Në vitin 2005 fitoi çmimin “Man Booker Prize” i nominuar krahas nobelistëve Günter Grass, Garbiel Garcia Marquez, Kenzaburo Oe etj. Kryetari i jurisë e arsyetoi vendimin për t’i dhënë çmimin Kadaresë me fjalët: “Ismail Kadare është një shkrimtar që hedh në hartë një kulturë të tërë: historinë e saj, dëshirën, folklorin, politikën, fatkeqësitë. Ai është një shkrimtar universal me traditë rrëfimi që shkon deri te Homeri”. Në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll “Princi i Asturias” për Artet – çmimi më i rëndësishëm letrar në vendet spanjolle, dhe një nga çmimet letrare më prestigjioze në botë. Në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin Lerici Pea.
Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. U bë anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe nga viti 2018 anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Malit të Zi.
Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.
Me studimin e veprës së Kadaresë janë marrë autorë të huaj në gjuhët amtare gjegjëse si Eric Faye dhe Jean-Paul Champseix në frëngjisht, Piet de Moor në holandisht, Peter Morgan në anglisht, Bernardo Joffily në portugalisht, Jose Carlos Rodrigo Breto në spanjisht, dhe Ece Dillio?lu në turqisht.
Emancipimi dhe zhveshja nga komplekset
Kadare (dhe bashkëshortja e tij Helena) është ndër të parët shkrimtarë që ka folur hapur për një anë kaq njerëzore në jetën e një shkrimtari, duke treguar kohët e bukura të jetës studentore në Moskë, të vajzave që takoi dhe që e bënë të shkruante poezitë më të bukura mbi dashurinë.
Ai nuk e ka mohuar kurrë madje ka treguar se në librat e tij ka shkruar historitë e dashurive me vajzat. Në librin “Ftesë në studio”, ai tregon për herë të parë detaje mbi njohjet me vajzat ruse, duke treguar dhe disa copëza letrash që ua pat çuar vajzave me të cilat ishte shoqëruar.
Libri me kujtime i gruas së Ismail Kadaresë, Helenës, tërhoqi vëmendje 13 vite më parë, edhe për faktin se ajo fliste për herë të pare, për historitë e tij të dashurisë me vajza të tjera.