Nga arratia, Arben Ahmetaj rikthehet në Facebook me një mesazh misterioz

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj është rikthyer në rrjetet sociale, përmes një mesazhi që ai e ka postuar këtë të enjte.

Ish-numri i dy i qeverisë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar ka ndarë një thënie të dramaturgut të njohur spanjoll, Miguel De Cervantes, autorit të “Don Kishotit”.

“Luftojmë kundër tre gjigantëve, i dashur Sancho: Padrejtësia, frika dhe injoranca”, ka shkruar Ahmetaj, duke cituar shprehjen e Cervantes.

Nuk dihet se kujt i drejtohet saktësisht kjo thënie, por ky reagim i Ahmetajt vjen një ditë pasi SPAK shtyu sërish me tre muaj hetimet për të, teksa akuzohet se ka kryer veprat penale “Pastrim parash”, “Fshehje të pasurisë” dhe “Korrupsion pasiv” lidhur me aferën e inceneratorëve.

Ajo që vihet re është se Ahmetaj ka mbyllur komentet në postim, duke mos lejuar ndjekësit e tij që të komentojnë.

Vetëm pak ditë më parë, Ahmetaj në një intervistë për Vincent W.J. van Gerven Oie foli për atë që ai e quan përndjekje politike, prishjen e marrëdhënieve me kryeministrin Edi Rama dhe arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Nuk la pa sulmuar edhe zv.ministren Belinda Balluku, për të cilën tha se është instrumenti kryesor i korrupsionit.