Nesër te TKOB i jepet lamtumira e fundit Dhimitër Anagnostit

Ditën e nesërme do t’i jepet lamtumira e fundit, regjisorit dhe artistit të madh, Dhimitër Anagnosti. Homazhet në nder të tij do të mbahen të martën në Hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit nga ora 10:00-13:00 dhe më pas ai do të përcillet për në banesën e fundit.

Detajet u bënë me dije nga e bija e regjisorit, Juna Anagnosti përmes një postimi në rrjete sociale.

“Homazhet për Dhimitër Anagnostin do të zhvillohen të martën datë 02 shtator në Hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit, ora 10.00 – 13.00.”, ka shkruar ajo.

Dhimitër Anagnosti konsiderohet si një nga mjeshtrat më të mëdhenj të ekranit shqiptar. Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë.

Ai është regjisor i filmave që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e qytetarëve si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit”, dhe shumë të tjerë.

Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, dhe është vlerësuar me dekoratat “Nderi i Kombit” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Ai ka dhënë kontribut edhe në politike, pasi në vitin 1992, ai u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 Dhjetor 1994, pasi dha dorëheqjen.

Dhimitër Anagnosti mbetet një ikonë e kinemasë shqiptare, një artist dhe mentor i paharrueshëm, i cili ka lënë gjurmë të thella në kulturën dhe artin e vendit.