Nesër Kuvend! Sesioni i ri parlamentar nis mes debateve të vjetra dhe protestave

Pasditen e nesërme, në orën 17:00 nis sesioni i ri parlamentar.

Seanca e parë pritet të jetë kryesisht ceremoniale, ndërsa puna konkrete e Kuvendit do të nisë me përcaktimin e programit dhe kalendarit të punimeve për periudhën e re parlamentare.

Ndërkohë në orën 11:00 të së martës pritet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, ku do të diskutohet dhe miratohet projektprogrami i punës së Kuvendit dhe projektkalendari i punimeve.

Reforma territoriale, çështja Balluku, protesta qytetare, janë disa nga çështjet që pritet të sjellin debat në këtë sesion të ri.

Sa i takon reformës territoriale Partia Socialiste ka depozituar një propozim për riorganizimin e njësive vendore, që parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46.

Nisma ka hasur kundërshtime, veçanërisht në bashkitë që parashikohet të bashkohen me njësi të tjera vendore.

Nesër në orën 17:00 pritet që të ketë edhe një protestë para Kuvendit, teksa në gatishmëri do të jetë një numër i lartë efektivësh.