Ditën e nesërme, Apeli i GJKKO do të vendos mbi kërkesën e kryebashkiakut, Erion Veliaj, i cili kërkon të dalë nga burgu në atë që ai e pretendon si një proces politik.
Ndërkohë dy avokatët e tij, Joshua Roberts dhe Ermir Beta kanë zhvilluar një takim me Veliajn, në paraburgimin e Durrësit, ku ai ndodhet që prej datës 12 shkurt.
Ky takim vjen në prag të seancës gjyqësore që do të mbahet nesër në Apelin e Posaçëm, pas ankimit të vendimit të GJKKO.
Kujtojmë se Veliaj u arrestua më datë 10 shkurt me urdhër të SPAK, teksa ai ishte në zyrën e tij në bashkinë e Tiranës.
Sipas SPAK, Erion Veliaj akuzohet për “Korrupsion pasiv”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “pastrim parash”, akuza që rëndojnë edhe ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, e cila ka konsumuar edhe veprën penale: “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.