Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit, që është ditën e nesërme.
Kjo festë simbolizon edhe mbylljen e Muajit të Shenjtë të Ramazanit, teksa Spahiu në mesazhin e tij uron që kjo ditë e shenjtë të sjellë paqe dhe harmoni në çdo familje shqiptare.
“Sot jemi në ditën e fundit të një muaji adhurimi, mëshire, falje e solidariteti. Ju përcjell urimet më të sinqerta me rastin e kësaj feste të bukur. Ramazani ishte një udhëtim shpirtëror, i përkushtimit, sakrificës dhe afrimit me zotin. Përmes agjërimit, lutjeve dhe veprave të mira, ne forcuam besimin tonë dhe ndenjën e solidaritetit me njëri-tjetrin. Fitër Bajrami është festa që na kujton vlerat më të mëdha njerëzore, mëshirën, dashurinë dhe faljen dhe ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë. Le të jetë kjo ditë një moment gëzimi dhe bashkimi për çdo familje shqiptare. Në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ju uroj gëzuar Fitër Bajramin. Zoti e pranoftë agjërimin dhe lutjen tuaj, ju dhëntë paqe dhe begati në familjen tuaj”, tha kreu i KMSH Bujar Spahiu.