Nga James Holmes “National Interest”
Muajin e kaluar isha në Çikago për një simpozium të mbajtur Muzeun Ushtarak dhe Bibliotekën Pricker. Paneli ku bëja pjesë diskutoi mbi temën “Partneritetet dhe Traktatet Globale”. Një çështje shumë e rëndësishme, sepse në fund të fundit pozita e Shteteve të Bashkuara në botë varet nga aleancat dhe partneritet e të gjitha llojeve, kryesisht me vendet e super-kontinentit Euroaziatik.
Gjatë diskutimeve, drejtuesi i panelit tonë ngriti një pyetje intriguese, duke u bazuar në thënien e përmendur shpesh të Lord Palmerston, sipas së cilës Britania e Madhe e shekullit XIX-të nuk kishte aleatë të përhershëm, por vetëm interesa të përhershme. (Palmerston nxitoi të shtonte se ajo nuk kishte as armiq të përhershëm).
Ndoshta ky është edhe një rregull i përgjithshëm. Britania ndërtoi ose iu bashkua aleancave atëherë kur bashkëpunimi i përshtatej interesave të saj, kryesisht në formësimin e ngjarjeve në kontinentin e Evropës. Aleancat morën fund kur nuk u përshtateshin më interesave britanike.
Po më në përgjithësi pse prishen aleancat? Në studimin tim i jam referuar një eseje të vjetër me autor profesorin e Universitetit të Harvardit, Stiven Uollt, me titull “Formimi i aleancës dhe balanca e fuqisë botërore” (që më pas u zgjerua në librin “Origjina e aleancave”).
Uollt dallon 3 lloje elementë që krijojnë aleancat. Ai është një realist në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndaj pushteti dhe interesat kombëtare qëndrojnë mbi të gjithë faktorët e tjerë. Ai duket se ka pak besim tek elementët e tjerë më të vegjël, edhe pse e pranon se ato ekzistojnë dhe mund të rrisin ose degradojnë jetëgjatësinë e një aleance.
Sipas shkollës realiste, interesat e përbashkëta – kryesisht për të shmangur kërcënimet e përbashkëta – përbëjnë hallkën më të fortë që bën bashkë disa shtete në një aleancë. Elementë të tjerë të ngjashëm janë afërsitë politike, kulturore dhe sociale midis aleatëve. Një gjuhë, sistem politik ose trashëgimi e përbashkët i nxit partnerët të shikojnë mjedisin strategjik në mënyra të ngjashme dhe të gjejnë strategji po të tilla për menaxhimin e tij.
Ndërkaq, “elementët” më të dobët janë ata të natyrës transaksionale. Kjo do të thotë se aleati më i fortë mund të marrë me qira aleatë, duke financuar një sipërmarrje të përbashkët. Ose hegjemonia mund t’i forcojë ata, duke i detyruar që t’i binden urdhrit të tij. Por aleancat transaksionale zgjasin vetëm për aq kohë sa transaksioni mbetet në fuqi.
Aleatët më të vegjël synojnë të shkëputen kur një aleat hegjemonist nuk paguan më ‘qiranë’, ose kur nuk mund t’i mbajë më nën kërcënimin e armëve. Pra kur ata nuk kanë më interes për përfitime materiale ose kanë nevojë të shqetësohen për vetë-ruajtjen. Mjeshtrit e strategjisë Sun Tzu dhe Karl Von Klausevic, janë skeptikë ndaj aleancave.
Sun Tzu i urdhëronte sovranët kinezë të lashtësisë që të silleshin si “Mbretër Hegjemon”, sundimtar të një shteti aq të pakufizuar saqë kundërshtarët të mos guxojnë të krijojnë një kauzë të përbashkët kundër tij. Ndërkohë Klauzevic flet për aleanca hegjemoniste dhe aleanca midis të barabartëve.
Dinamika brenda 2 llojeve është krejt e ndryshme, kryesisht për shkak të Rregullit të Artë të tyre: rregullat i bën ai që ka fuqinë ekonomike. Uollt thekson nga ana e tij se ka aleanca të imponuara dhe konsensuale. Ja cilat janë disa nga skenarët se përse prishen aleancat midis shteteve.
Së pari, një aleancë mund të shpërbëhet pasi ajo e ka përmbushur qëllimin pas të cilit u mblodhën aleatët. Klauzevic bëri karrierë duke luftuar kundër Francës. Ai pa disa koalicione të luftonin kundër ushtrive franceze. Siç vetëm koalicioni i fundit triumfoi në Vaterlo, duke hedhur bazat për atë që doli të ishte një rend i qëndrueshëm i pasluftës në Evropë.
Fuqitë aleate morën masa për të bashkëpunuar për të parandaluar ngritjen e një Napoleoni tjetër. Por sigurisht që nuk ishte NATO, një aleancë e qëndrueshme që qëndron e bashkuar edhe pas rënies së fuqisë armiqësore që e krijoi atë.
Së dyti, dhe e lidhur ngushtë më të parën, një aleancë mund të nisë të prishet ndërsa afrohet fundi i një konflikti dhe aleatët nisin të shohin interesat e tyre të pasluftës, të cilat mund të jenë në kundërshtim me aleatët e tyre të kohës së luftës.
Ministri i Jashtëm austriak, Klemens Von Meternik, një tjetër protagonist në Luftërat Napoleonike dhe pasojat e tyre, thoshte se një aleancë pa një “qëllim të përcaktuar qartë” tenton që të “shpërbëhet” teksa ndryshojnë interesat dhe qëllimet kombëtare.
Kujtoni pak Aleancën e Madhe që luftoi në Luftën e Dytë Botërore. Sapo u bë e qartë se aleatët ishin fitimtarët e mundshëm mbi forcat e Boshtit, udhëheqësit aleatë Josif Stalin dhe Uinston Çërçill, nisën të diskutonin mbi pozicionin gjeopolitik të vendeve të tyre në Evropën e pasluftës, ku përplaseshin interesat.
Së treti, nëse aleancat mund të bien viktimë e suksesit të tyre, humbja tingëllon thuajse gjithmonë si kambana e vdekjes për të mundurit. Fuqitë Qendrore nuk jetuan më shumë se Lufta e Parë Botërore, dhe as ato të boshtit pas Luftës së Dytë Botërore. Dhje kjo nuk është e habitshme. Sepse një humbje e madhe priret të poshtërojë një aleancë, sidomos nëse ajo humbet aq shumë, sa që armiqtë e saj mund të imponojnë kushtet e tyre.
Së katërti, ndonjëherë aleatët bien dakord që të shpërndajnë angazhimin e tyre ndaj njëri-tjetrit pa hasur as fitore, as humbje. Aleanca Anglo-Japoneze e vitit 1902, i shërbeu mirë interesave britanike dhe japoneze për një farë kohe. Por të dyja vendet ranë dakord ta shpërbënin aleancën brenda kornizës së Traktatit të Versajës që çimentoi fundin e Luftës së Parë Botërore.
Së pesti, një ose më shumë anëtarë të aleancës mund t’i nënshtrohen ndryshimit të regjimit. Ndryshimi revolucionar pritet që të sjellë ndryshime drastike në karakterin kombëtar, deri në pikën kur një vend pushon së qeni një partner tërheqës, i aftë ose kompetent në të mirën e përbashkët.
Katër perandori u shembën gjatë Luftës së Parë Botërore ose pasojave të saj. Tre nga Fuqitë Qendrore, Gjermania, Austro-Hungaria dhe Turqia, dhe një ndër fituesit, Rusia. As aleanca e kohës së luftës, nuk kishte gjasa që t’i rezistonte ndryshimeve të shumta.
Revolucioni iranian i vitit 1979 i dha fund aleancës SHBA-Iran. Bashkimi Sovjetik kreu një vetëvrasje të ndihmuar në vitin 1991, duke e shpërbërë Paktin e Varshavës, një aleancë imponuese, nga e cila aleatët, madje edhe republikat sovjetike, ishin të dëshpëruar të largoheshin.
Së gjashti, një anëtar kyç i aleancës, mund të pësojë një metamorfozë të tillë në politikën e jashtme që e minon aleancën. Kështu SHBA-ja, e sapoardhur në politikën botërore, i ktheu shpinën Evropës pas Luftës së Parë Botërore, duke vulosur edhe fatin e Paktit të Versajës. Administrata Karter e braktisi Tajvanin në fundin e viteve 1970, duke e zhvendosur njohjen diplomatike nga Republika e Kinës në Republikën Popullore të Kinës. Ende sot po përballemi me pasojat e asaj kthese. Më së afërmi në kohë, Donald Trump, paralajmëroi distancimin e Amerikës nga angazhimet e vjetra ndaj NATO-s, Japonisë dhe Koresë së Jugut.
Së shtati, ndonjëherë një aleancë zbehet shumë në vend se të shpërbëhet plotësisht. Dikush mendon se Organizata e Traktatit të Azisë Juglindore dhe Organizata e Traktatit Qendror, janë të destinuara të jenë ekuivalente të NATO-s dhe që kontrollojnë sigurinë në Azinë Juglindore dhe Lindjen e Mesme. Një ndërthurje ngjarjesh – armiqësi mes partnerëve të mundshëm të aleancës, pikëpamje të ndryshme për interesat e përbashkëta – mund të bëjë që një aleancë të lindë e vdekur.
Së teti, një ose më shumë aleatë mund të mos jenë më në gjendje të kontribuojnë në mënyrë domethënëse për kauzën. Për shembull, rënia e popullsisë mund të sjelle degradim me kalimin e kohës, jo vetëm duke e privuar një aleat nga fuqia punëtore, por duke dobësuar ekonominë e tij, kapacitetin e tij për inovacion teknologjik dhe baza të tjera të fuqisë ushtarake.
Në këto kushte, ai aleat do të bëhej një i varur nga bujaria e më të fortëve. Por paaftësia për të ndarë barrën mund të krijojë mosmarrëveshje të tjera brenda aleatëve. Ky është një skenar real, pasi rënia demografike po përhapet tek aleatët e SHBA-së në Evropë, për të mos përmendur Japoninë dhe Korenë e Jugut.
Është e vështirë të mbash angazhimet pa mjetet e duhura. Dhe është e vështirë të presësh që të tjerët të ofrojnë sigurinë tënde, kur ti jep pak në këmbim. Dhe së fundi, mos i nënvlerësoni asnjëherë përpjekjet e një kundërshtari për të parandaluar, degraduar ose prishur aleancat.
Shënim: James Holmes, drejtues i strategjive në Kolegjin e Luftës Detare, Universiteti i Xhorxhias, SHBA.