Nën masa të rrepta sigurie dhe i shoqëruar nga bashkëshortja, presidenti turk Erdogan mbërrin në Rinas

Presidenti turk , Recep Tayipp Erdogan ka mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza” në  Rinas, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Presidenti turk u prit nga ministri Igli Hasani, i cili kishte mbërritur paraprakisht në aeroport.

Erdogan është pritur nën masa të rrepta sigurie, ndërsa Policia e Tiranës ka bllokuar aksin e vjetër Kashar-Rinas,  nga ora 10:00 deri në 11:30, për shkak se nga kjo rrugë do të kalojë delegacioni.

Në orën 11:30, presidenti turk do pritet në Presidencë me ceremoni, ndërkohë do zhvillojë edhe një takim kokë më kokë me Begajn. Më pas në 12:15 pritet takimi me kreun e qeverisë në ambientet e Kryeministrisë. Axhenda do të vijojë me mbledhjen e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë mes delegacioneve të dy vendeve në orën 13:15.

Rreth orës 14:35 pritet konferenca për shtyp mes Ramës dhe Erdogan, ndërkohë që në orën 14:15 pritet të nënshkruhen 3 marrëveshje mes delegacioneve të dy vendeve. Ndërkohë, rreth orës 15:00, në Pallatin e Brigadave pritet të shtrohet një dregë në nder të presidentit Edogan.

Vizita e presidentit turk do të mbyllet me inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë, ku i pranishëm do të jetë edhe Rama. Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, është lënë jashtë kësaj ceremonie, fakt i njoftuar publikisht nga vetë ai, ndërsa në emër të komunitetit, në inaugurim do të jetë Myftiu i Tiranës, Gazmend Teqja, i cili pritet të jetë edhe imami zyrtar i Xhamisë së Madhe.