Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka prezantuar sot podcastin e ri të partisë.
Shehaj thotë se podcasti i partisë Mundësia është një hapësirë e hapur publike ku qytetarët mund të diskutojnë, të pyesin dhe të marrin shpjegime të qarta për atë që ndodh në Shqipëri.
Shehaj theksoi se ky format vjen si përgjigje ndaj mungesës së transparencës dhe manipulimit informativ nga politika dhe mediat tradicionale, duke ftuar qytetarët, ekspertët dhe zërat kritikë të bëhen pjesë e debatit dhe të kontribuojnë me idetë e tyre.
“Të dashur miq, në këtë karrige mund të uleni ju. Kjo është një hapësirë për të gjithë ata që duan të flasin për të vërtetën. Çfarë ndodh në Shqipëri, të gjithë ata që kanë një ide, të gjithë ata që duan të debatojnë, të diskutojnë, këtu së bashku tek kjo hapësirë, tek podcast-i i ri i Partisë Mundësia. Me deputetin Kapri, me Sekretaren e Përgjithshme Barbara Doda, me mua dhe me anëtarë të tjerë të tjerë të Partisë Mundësia.
Ju ftojmë të gjithëve të na shkruani, të na kontaktoni. Më në fund ka një hapësirë ku ne mund të shpjegojmë dhe do të shpjegojmë çfarë ndodh në Shqipëri, cilat janë propozimet tona, cilat janë zgjidhjet tona.
Sa herë ju ka ndodhur që keni dashur të kuptoni në lidhje me një ngjarje të rëndësishme në Shqipëri dhe fatkeqësisht do thoja ndodhin shumë ngjarje në Shqipëri dhe nuk keni pasur mundësinë të kuptoni. Sepse qëllimisht nuk kanë dashur që ju të kuptoni. Kjo është një hapësirë e re ku më në fund ne do të mundohemi t’i japim zgjidhje këtij problemi. Ju presim të vini të flisni dhe të na ndiqni në podcast-in e ri të Partisë Mundësia” – u shpreh kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj.