Në kërkim si pjesë e një grupi kriminal, arrestohet Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste

Ka rënë në prangat e policisë Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja. Xhelal Rraja ishte në kërkim nga policia në kuadër të operacionit policor Revanshi”, i akuzuar për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje. Ndaj tij gjykata kishte vendosur masën e “arrestit me burg” në mungesë ndaj tij.

“Pas një pune të mirëfilltë hetimore, është bërë e mundur kapja e shtetasit në kërkim Xh. Rr. Xh. Rr. ishte shpallur në kërkim, pasi gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në vijim të operacionit “Revanshi”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje”- njofton policia.

Xhelal Rraja, nga përgjimet e SKY rezulton se është pjesë e grupit të Durim Bamit, ku në bashkëpunim me Indrit Doklen do vrisnin ish-deputetin e PS-së, Arben Ndoka.

Emri i tij doli edhe në ngjarjen e rëndë që ndodhi rreth një vit më parë, ku anëtarë të fisit Rraja dhunuan dy kushërintë Bilbil dhe Jashar Maja, për shkak të konfliktit në lidhje me guroren në Borizanë të Fushe Krujës. Dy kushërinjtë Maja ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në gurore po u dëmtonin banesat dhe madje kishin bërë edhe denoncim në polici.

Ditën që ata ishin në kafe me inxhinierin e gurores për t’i kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, grupi i dhunuesve, mes tyre djali, nipi dhe vëllëzerit e ish-deputetit mësyn në lokal dhe dhunuan dy kushërinjtë.

Pas ngjarjes së rëndë, Rrahman Rraja u detyrua që të linte mandatin e tij si deputet.