Në kërkim ndërkombëtar për drogë, 25 vjeçari nga Laçi kapet në Spanjë

Një 25 vjeçar nga Laçi ka rënë në prangat e policisë së Spanjës teksa ishte i kërkuar nga autoritetet tona.

I arrestuari është Algert Zeneli, i cili akuzohet për “Kultivim i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”

25 vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në vitin 2023, ka kultivuar 10 900 bimë narkotike Cannabis Sativa, në fshatin Kir, njësia administrative Pult, dhe në afërsi të fshatit Theth, Shkodër. 

Njoftimi i plotë:

Vijon intensivisht bashkëpunimi me partnerët, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar. 

Si rezultat, u finalizua një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar “The Ëanted”. 

Në kuadër të kësaj faze, falë informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe shkëmbimit në kohë reale nëpërmjet Interpol Tiranës me Interpol Madridin, u bë i mundur lokalizimi në Spanjë, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin, i shtetasit në kërkim ndërkombëtar A. Z., 25 vjeç, lindur në Laç.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, në vitin 2023, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.

Shtetasi A. Z. akuzohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në vitin 2023, ka kultivuar 10 900 bimë narkotike Cannabis Sativa, në fshatin Kir, njësia administrative Pult, dhe në afërsi të fshatit Theth, Shkodër. 

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Madridin, vijon punën për finalizimin e procedurave të ekstradimit të këtij shtetasi, në Shqipëri.