Në burg prej një viti e gjysmë, Meta kërkon ndryshim të masës së sigurisë në GJKKO

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është drejtuar me një kërkesë të re Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), ku kërkon zëvendësimin e masës së arrestit me burg.

Kërkesa e Metës vjen një ditë pasi GJKKO kaloi për gjykim dosjen ndaj tij, ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurve të tjerë: Fatime Kryemadhi, Ema Çoku dhe Piro Xhixho.

Kujtojmë se ndaj Metës dhe Kryemadhit rëndojnë akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

Ndërkohë Piro Xhixho, akuzohet për korrupsion, ndërsa Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku, akuzohen për pastrim parash.

Hetimet zbuluan një sërë skemash korruptive, përdorimin e influencës dhe pushtetit politik me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë apo të premtuar, pastrim të produkteve të veprës penale, dhe fshehje të pasurive apo mosdeklarimi i shpenzimeve të konsiderueshme në deklaratat periodike të pasurive.