Në 2021 u hetua për kanabisin në Mallakastër, Gazmir Preçi u “shpërblye” si shef Antidroge në Durrës, dje e arrestuan për shantazh dhe gjobvënie ndaj bizneseve

Ditën e djeshme Gazmir Preçi, me detyre shef i Antidrogës në Komisariatin e Durrësit u arrestua pasi akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Preçi duke shfrytëzuar detyrën e tij, akuzohet se ka shantazhuar pronarin e një klubi nate te Ura e Dajlanit se do t’i mbyllë biznesin dhe i ka kërkuar si ‘gjobë’ 20 mijë euro. 

Megjithatë Preçi ka abuzuar edhe më herët me detyrën e tij.  

Në vitin 2021, Drejtoria Rajonale e SHÇBA-së Fier, caktoi masa sigurimi personal për disa punonjës policie të zinxhirit komandues dhe përgjegjës të Komisariatit të Policisë Mallakastër të cilët kishin lejuar mbjelljen e drogës buzë lumit Vjosa. Mes tyre ishte edhe emri i Gazmir Preçit, ndaj të cilit u vendos masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Preçi në atë periudhë kishte mbajtur postin e shefit të komisariatit në policinë e Mallakastrës.

Pas hetimeve rezultoi se punonjësit e policisë kishin shpërdoruar detyrën gjatë periudhës qershor – shtator 2021 duke lejuar, apo favorizuar veprimtarinë kriminale të disa shtetasve të arrestuar më parë nga Prokuroria e Rrethit Fier për kultivim të bimëve narkotike.

Megjithatë pavarësisht këtij precedent, Preçi jo vetëm që nuk u largua nga policia, por u shpërblye me një post drejtues.