Ditën e djeshme PS kaloi fshehtas opozitës në Komisionin e Ligjeve projektligjin për kultivimin e kanabisit. Edhe pse në seancat e tjera është ngritur shqetësimi se si do të kontrollohet kanabisi, në një kohë që bandat e krimit sundojnë tregun, nuk ka një përgjigje konkrete dhe bindëse nga qeveria.
Vendimi vjen në një kohë kur çdo ditë dëgjojmë lajme për vrasje dhe përplasje me armë, për shkak të parcelave me kanabis. Gjithashtu sipas asaj që është vërejtur në vendet e tjera që e kanë legalizuar, rrjetet kriminale reagojnë me shpejtësi për t’iu përshtatur realitetit të ri dhe kjo nuk do të ndikonte aspak negativisht për ta.
Sipas studimit të “JIED” të LSE Press, në 10 vite nga 2010-2020, në Shqipëri asnjë bos droge nuk u arrestua. Të vetmit që e pësuan ishin kultivuesit, të cilët paguheshin nga 1440 deri në 5000 euro në vit.
Edhe pse pagesat për ta janë minimale, përsëri janë ata që vuajnë dënimet për drogë në burgje, pasi pranojnë të gjitha akuzat penale dhe janë të detyruar të mos tregojnë bosët e vërtetë. Në 97% të rasteve ata nuk kanë patur më parë precedent penal ndërsa organet ligjzbatuese nuk kanë gjetur asnjëherë bosët e kultivimit.
Studimi ka analizuar edhe profilin e kultivuesve të kanabisit në Shqipëri që në masë të madhe është: një burrë, me banim në një zonë rurale, rreth të tridhjetave, me nivel të ulët arsimor, i pa përfshirë më parë në veprimtari kriminale dhe që jeton në varfëri. Këta njerëz kultivojnë kanabis së bashku me produkte të tjera bujqësore që kultivojnë tradicionalisht.
Në rastet e shqyrtuara nuk ka asnjë informacion se si fermerët i marrin bimët dhe kujt ia shesin produktin.
Referuar rasteve gjyqësore të zbardhura në 10 vite, studimi rrek të zbulojë mënyrën e organizimit të kultivimit të kanabisit. Sipas kësaj skeme, ekzistojnë tri lloje punonjësish; roja i armatosur, punëtori i kanabisit që kujdeset për bimët dhe i ujit ato, dhe personi përgjegjës (drejtues) që siguron farat dhe kujdeset për kanabisin pas korrjes.
Sipas ekspertëve kultivimi i hashashit mjekësor nuk është burim i konsiderueshëm i të hyrave buxhetore; në asnjë nga shtetet amerikane që e lejojnë nuk kalon 1% të të ardhurave fiskale”. Ky vendim nuk pritet të ketë efekt për shtresat më në nevojë në shoqërinë shqiptare.