Ndërron jetë në spital 12-vjeçari nga Korça, dyshohet se pësoi arrest kardiak

Një 12 vjeçar ka humbur jetën te QSUT për shkak të problemeve shëndetësore që ka shfaqur. I mituri nga fshati Posectë i Korçës është ndjerë keq dhe është dërguar në spital. Më pas ai është transferuar nga spitali i Korçës drejt kryeqytetit për mjekim të specializuar ku dhe ndërroi jetë.

Lajmi është konfirmuar nga drejtoria e shkollës 9-vjeçare në Vashtemi, ku i mituri ishte nxënës i klasës së 7-të. Burime pranë shkollës bëjnë me dije se shkaku i vdekjes së 12-vjeçarit janë problemet kardiake që ai shfaqi.

Sipas të dhënave nga spitali rajonal i Korçës 12 vjeçari ka shkuar në spital rreth 10 ditë më parë me simptoma gripi dhe pasi është mbajtur nën kujdesin e mjekëve gjendja e tij është përmirësuar dhe ka dalë nga spitali në datën 31 dhjetor.

Më pas ai është shoqëruar përsëri nga familjarët në spital pasi kishte të vjella dhe nga analizat ka rezultuar se kishte gliceminë e rritur ndaj dje në mëngjes është dërguar drejt Tiranës, ndërsa mbrëmjen e kaluar ka pësuar arrest kardiak.