Ndalojnë alkoolin dhe fishekzjarret ose gjobë deri në 500 euro, qytetet me kufizime të rrepta në natën e ndërrimit të viteve

Duke shpresuar për të siguruar festime më të sigurta të Vitit të Ri për të gjithë, disa qytete po vendosin ndalimin e alkoolit dhe fishekzjarrëve, ndërsa të tjerët po mbyllin fare zonat qendrore.

31 dhjetori është padyshim festa më e madhe vjetore në botë, me miqtë dhe familjen që mblidhen së bashku për të nisur fillimin e një viti të ri kalendarik.

Alkooli, fishekzjarrët dhe turmat e emocionuara janë të gjitha karakteristike për festimet e fundvitit, por disa qytete kanë vendosur disa rregulla të forta.

Venecia ndalon alkoolin

Venecia prezantoi disa nga masat më të rrepta në Itali këtë vit. Nga ora 19:00 e datës 31 dhjetor deri në orën 6 të mëngjesit të datës 1 janar, ndalohet bartja ose konsumimi i pijeve, qofshin ato alkoolike ose jo, në ambiente publike. Edhe baret dhe restorantet me ndenjëse në natyrë nuk mund të shërbejnë pije në shishe qelqi, kanaçe ose enë plastike me kapak.

Kushdo që kapet duke shkelur rregullat përballet me gjoba që variojnë nga 25 deri në 500 euro. Kryebashkiaku Luigi Brugnaro thotë se masat kanë për qëllim garantimin e sigurisë publike dhe mbajtjen nën kontroll të festimeve.

Distrikti Shibuya i Tokios qëndron i qetë

Në Japoni, nga ora 18:00 deri në 5 të mëngjesit të datës 1 janar, konsumimi i alkoolit në ambiente publike është rreptësisht i ndaluar. Për t’i bërë gjërat edhe më të qeta, numërimi i famshëm i Vitit të Ri të Shibuya në Scramble Crossing është anuluar sërish këtë vit, duke vazhduar një varg anulimesh që nga viti 2020.

Dyqanet në zonë kanë ndaluar gjithashtu shitjen e alkoolit gjatë festimeve dhe barrierat do të rrethojnë statujën ikonike Hachiko për të parandaluar mbipopullimin. Autoritetet duan të shmangin skenat kaotike të viteve të kaluara, duke siguruar një mjedis më të sigurt për të gjithë.

Strasburgu ndalon alkoolin dhe vendos shtetrrethimin për Vitin e Ri

Në Francë, Strasburgu nuk po frenohet kur bëhet fjalë për kufizimet. Konsumimi publik i alkoolit është i ndaluar për plot 24 orë, duke filluar nga mesdita e 31 dhjetorit. Si përfundim, një shtetrrethim për të miturit e pashoqëruar nën moshën 16 vjeç do të jetë në fuqi nga ora 22:00 deri në 6 të mëngjesit.

Këto rregulla synojnë që festimet e qytetit të mos dalin jashtë kontrollit. Ndonëse mund të duken të rrepta, ato janë krijuar për të garantuar sigurinë dhe komoditetin e të gjithëve që marrin pjesë në festime.

Lyon shtrëngon rregullat për alkoolin dhe fishekzjarrët

Në një qytet tjetër francez, Lion, autoritetet po përqendrohen si te alkooli ashtu edhe te fishekzjarrët. Pirja në ambiente publike është e kufizuar nga ora 17:00 në natën e Vitit të Ri deri në 11:00 të mëngjesit të nesërm, ndërsa shitja e alkoolit është e ndaluar nga ora 20:00 deri në 9 të mëngjesit.

Fishekzjarret përballen me rregulla edhe më të rrepta, me një ndalim në mbarë qytetin për shitjen, blerjen, posedimin dhe transportin e tyre nga 30 dhjetori deri më 3 janar. Qëllimi është të minimizohen rreziqet dhe të mbahen festimet paqësore dhe të rregullta.