Ndahet dosja e inceneratorit të Tiranës, pranohet gjykimi i shkurtuar për Lefter Kokën dhe 7 të tjerë

Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe 7 të pandehurve të tjerë, për gjykim të shkurtuar lidhur me dosjen e inceneratorit të Tiranës.

Përveç Kokës, gjykimi i shkurtuar u pranua edhe për Bledar Karolin, Erjon Muratajn, Taulant Tushën, Namik Simixhiun, Valbona Ballgjinin, Sidita Koplikun dhe Jetmir Llapajn.

Po ashtu u pranua kërkesa e katër të pandehurve të tjerë, konkretisht, Silena Tola, Etleva Kondi, Alba Thoma dhe Pëllumb Abeshi për tu gjykuar me procedurën e zakonshme si dhe për ndarjen e çështjes nga pjesa tjetër.

12 të pandehurit akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës” e kryer në bashkëpunim, sa i takon procedurës për dhënien e koncesionit për ndërtimin e Inceneratorit të Tiranës.  Në seancën e ardhshme, pritet që prokurori Dritan Prençi të japë konkluzionet për 8 të pandehurit, ndërkohë që për katër të tjerët do vijojë gjykimi.

Ndërkohë hetimi për ish-deputetin e Partise Socialiste Alqi Bllako është ndarë më vete. Kjo për faktin se Bllako akuzohet për korrupsion.