“Na ktheni burrat tanë”, gratë ruse dalin në një protestë të rrallë

Një protestë e rrallë është mbajtur në Rusi, ku protagoniste janë gratë.

Një grup grash po kritikojnë publikisht autoritetet ruse pasi burrat e tyre janë në mesin e 300.000 rezervistëve të mobilizuar nga presidenti Vladimir Putin për luftën në Ukrainë.

Dhe ato i duan burrat e tyre në shtëpi.

“Kur do të konsiderohet se burrat tanë e kanë kryer detyrën e tyre ushtarake? Kur ata të kthehen pa krahë dhe këmbë? Apo duhet të presim që të kthehen në arkivole?”- ka thënë një prej protestueseve.

“Si fillim, ne i besuam qeverisë tonë, por a duhet t’u besojmë atyre tani?”- shprehet një tjetër protestuese.

Gratë u takuan përmes rrjeteve sociale dhe kanë formuar një grup të quajtur “The Way Home”.

Ato kanë pikëpamje të ndryshme për luftën. Disa pretendojnë se e mbështesin atë. Të tjera janë skeptike për “operacionin special ushtarak” të Kremlinit.

Ajo që duket se i bashkon është besimi se burrat e mobilizuar kanë bërë pjesën e tyre të duhur të luftimeve dhe duhet të kthehen në shtëpi me familjet e tyre.