“Na fal, Martin!”

Mark Pashkja

Përballë vdekjes sate secili prej nesh duhet të ndihet dhe, në fakt, është i dështuar. Jemi të tillë, sepse ai që të mori jetën, është fryt i shoqërisë që kemi prodhuar të gjithë ne. Po, po, fryt i shoqërisë sonë, sepse ajo dorë që të mori jetën ty, nuk është vetëm gjymtyrë e autorit të mjerë.

Ajo dorë është produkt i një shoqërie që për bazë ka “të fortin”: të fortin e lagjes, të fortin e shkollës, të fortin e qytetit. Të privilegjuarit e shoqërisë sonë nuk janë as mjekët, as juristët, as mësuesit e as gazetarët, por “të fortët” dhe shokët e “të fortit”.

Emrat e tyre diskutohen dhe njihen më shumë se shkrimtarët dhe poetët. Bisedat për to dhe bëmat e tyre marrin hapësirë në çdo mjedis. Detajet për veprimtarinë e tyre “dehin” në pasion çdo tregimtar dhe dëgjues. Atë e ka të vështirë ta ndalë policia, ta dënojë gjykatësi; ai i ka gjithçka; në çdo zyrë atij i rrinë gati…

Kështu, shokët e tu, para se të duan të bëhen mjekë apo sportistë, mësues apo juristë, duan të bëhen “të fortë”. Një shoqëri e tillë me bazë “të fortësh”, nuk mund të prodhojë asgjë tjetër përveçse kësi rastesh. Rastet si yti janë tregues i falimentimit të shoqërisë sonë, e cila ta merr jetën ende pa e nisur.

Fatkeqësisht, rasti yt nuk është i pari. Ky realitet, bashkë me ty, vrau edhe familjen tënde, dhimbja e së cilës është e paimagjinueshme. Këtë realitet e kemi krijuar ne, prandaj, të lutem, na fal!