Agron Shehaj, zhvilloi një takim fushate në qytetin e Shkodrës dhe deklaroi se Partia Mundësia refuzon çdo lloj pazari.
Sipas Shehajt, Mundësia për qëllim që ta kthejë Shqipërinë në një vend ku ia dilet me punë të ndershme.
“Jemi një grup gjithmonë e më i madh shqiptarësh që besojmë te puna e ndershme. Kjo na dallon nga të gjithë të tjerët. Refuzojmë çdo lloj pazari, sepse kemi një qëllim: duam ta kthejmë Shqipërinë në vendin ku shqiptarët ia dalin me punë të ndershme.
Kjo do jetë e vështirë, dhe e dallojmë sepse i kemi të gjithë kundër. Ju e shikoni çfarë shpikin. Sulme të ndryshme nga të gjitha palët. Por forca jonë është kontrasti që bëjmë me ata. Ne jemi ndryshe, dhe kjo i bezdis. Njerëzit e kuptojnë që ata i gënjejnë nëse duan të qëndrojnë në ato karrige. Duan të shpëtojnë privilegjet e tyre.
Ne jemi një kërcënim për ta, sepse ne jemi e vetmja alternativë e vërtetë. Jemi të vetmit që mund të fitojmë besimin e qytetarëve. Është një proces, por ndryshimi do vijë. Kjo varet nga ne, jo sa do na luftojnë ata”, u shpreh ai.
Agron Shehaj bëri një apel të drejtpërdrejtë për zgjedhjet e 11 Majit, duke i cilësuar ato si një hap të parë të rëndësishëm drejt një Shqipërie të drejtë dhe të pakorruptuar.
“Zgjedhjet e ardhshme janë hapi i parë. Shqipëria kurrë nuk ka pasur një qeveri të pakorruptuar, dhe këtë duam t’i japim Shqipërisë. Kjo është e vetmja mundësi për të gjithë shqiptarët e ndershëm”, tha ai.
Shehaj hodhi akuza ndaj kryetarit aktual të Bashkisë Shkodër, të cilin e akuzoi për korrupsion dhe përfshirje në afera kriminale.
“Bashkia e Shkodrës ka një kryetar që ka dalë në përgjim që ka marrë para, në hetim për korrupsion. E di e gjithë Shqipëria që në krye të Bashkisë së Shkodrës është një hajdut, dikush që ka vjedhur shqiptarët. Por këtyre nuk u bën përshtypje, këtyre që janë në pushtet, se mendojnë që nuk reagon më njeri”, tha Shehaj.