Muhamet Rrumbullaku iku pa i marrë tollonat

Muhamet Rrumbullaku u largua nga drejtimi i Policisë së Shtetit, duke dorëzuar dorëheqjen te ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, teksa përflitet se kjo ka qenë një dorëheqje e detyruar, pasi ministri i ri ka vendosur reformimin e të gjitha strukturave të Policisë.

Ai e mori detyrën në Shtator të vitit 2022, por njësoj si paraardhësit e tij, nuk arriti ta përfundonte mandatin 5 vjeçar në krye të Policisë së Shtetit.

Rrugëtimi i Rrumbullakut në krye të Policisë është shoqëruar me akuza të shumta nga opozita, e cila e akuzonte për lidhje me krimin e organizuar, ndërkohë që skandali i vjedhjes së të dhënave të TIMS i rëndoi edhe më shumë akuzat dhe denoncimet ndaj tij.

Por, teksa ndërpreu mandatin në krye të Policisë, Muhamet Rrumbullaku mund të ketë ikur nga detyra me një merak: tollonat e ushqimeve nuk i ka marrë ende.

Ashtu si mijëra efektivë policie, të cilët presin prej më shumë se 9 muajsh të marrin dietat ushqimore, që tashmë janë vendosur të jepen në forma tollonash, si në komunizëm, edhe Rrumbullaku vijon të mbajë në xhep kartën bosh të supermarketit.

Ndoshta, karta do të vijojë të mbetet në xhepin e tij me shpresën se një ditë karta do të mbushet, ashtu siç presin efektivët e policisë, të keqpaguar dhe të gënjyer në çdo deklaratë ministri. Sot këta efektivë që u detyruan të punonin nga 12 orë në ditë gjatë gjithë verës, pa pushime verore, janë ende në pritje të marrin ato që u takojnë me ligj.

Taulant Balla premtoi se dieta ushqimore do të jepeshin që në fillim të vitit, më pas i ktheu në tollona, por u largua pa i dhënë, ndërkohë që ministri i ri duket se nuk e ka idenë fare se çfarë bëhet, pasi nuk ka asnjë reagim për këtë çështje.