“Mos shkoni se kam parë ëndërr të keqe”, gjyshja e dy motrave u kishte kërkuar të mos niseshin, si shpëtoi nga tragjedia djali 10 vjeçar i familjes

Detaje të reja janë mësuar nga aksidenti tragjik që u mori jetën dy motrave nga Delvina ndërsa shoqja e tyre mbeti i plagosur, aktualisht në spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Burime për mediat bëjnë me dije se mbrëmjen e djeshme Elvisa 22 vjeç dhe Rezina Dhimaku 20 vjeç, ishin nisur për të pirë një kafe në Sarandë, po humbën jetën në aksidentin tragjik. Mësohet se ato morën leje nga prindërit duke u thënë se do merrnin me vete edhe shoqen e tyre, Antonelën. Madje donin të merrnin me vete edhe vëllanë e tyre 10-vjeçar, por babai u tha ta linin atë se, “është i lodhur”.

Babai dhe mamaja e tyre i la të shkonin ndërsa gjyshja u tha që mos ikni se “kam parë një ëndërr të keqe”.

Ky udhëtim rezultoi tragjik për familjen Dhimaku, ku makina me të cilin udhëtonin tre vajzat u përplas nga “Audi” që drejtohej nga 23 vjeçari Kevi Norra, i cili ishte i dehur në timon. Ai u arrestua për veprat penale: “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”. Policia e Sarandës informoi se testi i parë i alkoolit rezultoi në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l.

23 vjeçari nga Gjirokastra, bëjnë burime për mediat, punonte si specialist në Ministrinë e Brendshme.