Monika Kryemadhi konfirmon krisjen e marrëdhënies me Metën, i sulmon bashkëpunëtorët e rinj dhe mohon vjedhjen e serverëve të selisë

Jo vetëm marrëdhënia politike, por edhe ajo bashkëshortore mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit është e ngrirë për momentin.

Këtë e ka konfirmuar vetë Kryemadhi në emisionin Opinion, teksa tha se konfliktet politike me kryetarin e PL, kanë ndikuar dhe në jetën familjare. Ajo ka hedhur akuza për persona të tjerë që prishin lumturinë e familjeve për të krijuar pushtetin e tyre.

“Raporti im bashkëshortor me Metën është një raport për momentin i ngrirë për shkak të konfliktit në parti. Brenda familjes tonë të vogël kanë ndërhyrë njerëz të cilët mendojnë se duke shkatërruar lidhjet familjare do të ketë karrierë politike. Nuk është hera e parë që unë dhe Meta kemi këto konflikte. Ne nuk kemi konflikte parimore apo morale mes njëri-tjetrit, janë konflikte politike. Ato reflektohen se jemi njerëz dy njerëz që punojmë nga mëngjesi deri në darkë me politik, sigurisht që marrëdhënia është e përditshme dhe në familje. Ajo që mua më bën përshtypje dhe që e them gjithmonë është njeriu sa të rrojë do të mësojë. Mendjelehtësia më e madhe si te burrat dhe te gratë qëndrojnë kur mendojnë që lumturinë e tyre dhe pushtetin e tyre mund ta ndërtojnë duke rrënuar lumturinë dhe familjen e dikujt tjetri”, tha Kryemadhi.

Ish-drejtuesja e LSI-së u shpreh se tensionet kanë nisur pas denoncimit të Metës për vjedhjen e serverëve të selisë së Partisë së Lirisë, teksa e quan “paçavure” denoncimin e firmosur nga Meta.

“Debati që Monika Kryemadhi di të bëjë gjithmonë, nuk bën debat duke thënë po shefi, Monika bën debat duke treguar që debati ka filluar me atë paçavuren e famshme të denoncimit që është firmosur nga z.Meta përsa i përket serverave. Debati është edhe për shumë gjëra të tjera që kanë të bëjnë sa i përket meritokracisë, angazhimit, funksionimit të strukturave, marrjes së përgjegjësisë. Unë nuk mendoj që një parti politike është thjesht like dhe share në Facebook. Struktura e një partie politike është kontakti fizik i drejtpërdrejt me njerëzit. Ajo paçavure e firmosur nga Ilir Meta është një…”, u shpreh ajo.

Bashkëpunëtorët e rinj të Ilir Metës i quan thjesht rrogëtarë që kaluan nga Presidenca në Partinë e Lirisë.

“Është gënjyer Ilir Meta. Sepse kur mbledh rreth vetes njerëz të cilët mendojnë që janë rrogëtarë, sepse një parti politike nuk mbahet me rrogëtarë dhe servilë sedentarë. Kur njerëzit të cilët e kanë mendjen bosh dhe nuk e mbushin dot kohën me aksion opozitar atëherë do të krijojnë armikun imagjinar”, deklaroi Monika Kryemadhi.