Një fosil i rrallë, i harruar për dekada në një muze brazilian, ka rezultuar të jetë milingona më e vjetër e njohur deri më sot nga shkenca, duke ofruar një dritare të re mbi evolucionin e këtyre insekteve.
Fosili u zbulua në shtator 2024 nga studiuesi Anderson Lepeco në Muzeun e Zoologjisë në Universitetin e São Paulos, ndërsa po shqyrtonte koleksionin e pasur të insekteve të fosilizuara të ruajtura aty. Milingona, që jetonte para 113 milionë vjetësh në periudhën Kretake, është rreth 10 milionë vjet më e vjetër se çdo milingonë tjetër e gjetur më parë.
Lloji i sapopërshkruar, i quajtur Vulcanidris cratensis, i përkiste një nënfamiljeje të zhdukur të quajtur “hell ants” (milingonat e ferrit), të njohura për nofullat e tyre të veçanta në formë drapëri, që shërbenin për të gozhduar ose përplasje pre e tyre.
Sipas studimit të publikuar në revistën shkencore Current Biology, ky lloj milingoneje është i vetmi i ruajtur në gur gëlqeror nga formacioni Crato në verilindje të Brazilit, një zonë e njohur për ruajtjen e jashtëzakonshme të fosileve. Të tjerë “hell ants” janë zbuluar më parë në qelibar nga Franca dhe Myanmari, por ato datojnë rreth 99 milionë vjet më parë.
“U trondita kur pashë atë zgjatje të çuditshme përpara kokës së insektit,” tha Lepeco. “Zakonisht këto milingona janë gjetur vetëm në qelibar, kurrë në gur.”
Fosili, i analizuar në detaje me teknologjinë 3D të mikrotomografisë, tregoi karakteristika anatomike që nuk ekzistojnë më tek milingonat moderne, përfshirë damarë të dendur në krahë dhe nofulla të orientuara përpara, një strukturë e ngjashme me pirunët.
Zbulimi ofron prova se milingonat ishin të shpërndara në mënyrë më të gjerë sesa mendohej më parë dhe se ato kishin zhvilluar strategji të sofistikuara predatore që në fazat më të hershme të evolucionit të tyre.
“Milingona të fosilizuara janë zbuluar që nga shekulli XIX, por kjo zbulim e shtyn më tej rekordin e tyre në kohë me rreth 10 milionë vjet,” tha Phil Barden, profesor i evoluimit të insekteve në New Jersey Institute of Technology, i cili nuk ishte pjesë e studimit.
Sipas autorëve të studimit, ky zbulim jo vetëm që ndihmon në kuptimin e evolucionit të hershëm të milingonave, por edhe të tipareve të veçanta që nuk mbijetuan përtej zhdukjes masive që shfarosi dinosaurët 66 milionë vjet më parë.