Mirë se erdhe shoku Edi!

Në vitin 2025, shqiptarët vazhdojnë të presin liderët politikë me lule, valle popullore dhe duartrokitje të përzemërta, sa herë që ata përurojnë ndonjë rrugë apo ndërtesë.

5 Shtatori ishte një ditë e veçantë për qeverinë, pasi u përurua një rrugë. Jo ndonjë autostradë gjigande që lidh Evropën me Azinë, apo ndonjë tunel mes maleve, por një segment i vonuar që duhej të ishte ndërtuar që para shumë vitesh.

E megjithatë, ajo që duhej të ishte një akt normal i një qeverisjeje që bën punën për të cilën paguhet, u kthye në një ceremoni me këngë e valle e me ushqime tradicionale.

Në aksin Qukës – Qafë Plloçë, shoku Edi, i shoqëruar nga shoqja Belinda, zbritën mes popullit që e priste me entuziazëm, fiks si në kohët e komunizmit.

Banorët e zonës pas shumë vitesh pritje, dolën në rrugë me këngë e me valle. Kamera nga të gjitha anët, për të mos humbur asnjë moment, asnjë përkulje të shokut Edi para “dashurisë së popullit”.

E si të mos dilnin? Ishte vetë udhëheqësi që u zbriti në fshat! A nuk është ky kulmi i privilegjit në një vend ku ministrat ndalojnë vetëm për t’u fotografuar dhe jo për të dëgjuar hallet?

Ndërkohë, shoqja Belinda, shpjegonte me pasion se si ky aks do të sjellë zhvillim epokal për rajonin”, ndërsa ne dëgjonim njëjtat fjali, pothuaj fjalë për fjalë, janë thënë edhe në vitet e mëparshme.

Ironia e madhe qëndron pikërisht këtu: ata që për dekada janë lënë në harresë, sot duartrokasin për një copë asfalt që do të duhej të ishte aty prej kohësh.

Dhe në këtë spektakël të organizuar me përpikmëri, mungonte vetëm kori i pionierëve që të thërriste “Parti – Edi – Popull!”

Por propaganda me këtë rrugë nuk do të përfundojë vetëm te këngët e vallet e 5 Shtatorit, pasi do të vijojë në Parlament e në çdo dalje televizive, duke thënë me të madhe se rruga u ndërtua, por duke fshehur afatet dhe koston që rruga mori.

Në një vend ku rrugët ndërtohen me vonesë e me kosto shumë herë më të lartë se normalja, por përurohen me lavdi, është e vështirë të dallosh ku mbaron investimi publik dhe ku fillon spektakli personal.

E vetmja gjë që ndryshon nga një ceremoni e viteve ’80 është modeli i kostumit dhe lloji i kamerës. Pjesa tjetër, entuziazmi i organizuar, fjalimet e përsëritura dhe duartrokitjet me regji, mbeten po aty.