Me 75 vota pro dhe 24 kundër është votuar në tërësi buxheti i vitit 2025. Kuvendi kaloi me votat e socialistëve nen për nen buxhetin, ndërsa nuk munguan edhe debatet në seancën, e cila nisi që prej orës 10 të mëngjesit. Pas përfundimit të votimit, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali njoftoi mbylljen e seancës.
Gjatë seancës, socialistët rrëzuan të gjitha amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë. Mes tyre, amendamentin e propozuar nga Sali Berisha për minimumin jetik, që sipas kreut të PD-së duhej të ishte 200 euro.
Me 72 vota pro, deputetët e mazhorancës nuk kanë pranuar kërkesën e opozitës, teksa votat e demokratëve ishin të pamjaftueshme për të kthyer në ligj amendamentin e kryetarit të tyre.
Këtë të martë u rikthye pas 11 muajsh mungesë edhe kreu i PD-Sali Berisha, në atë që ai e cilësoi si rikthim të tretë, pasi i GJKKO hoqi masën e sigurisë “arrest me burg” për dosjen Partizani. Në seancë mungoi kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Bruksel.
Buxheti 2025, sipas mazhorancës është në një total prej rreth 8,2 miliardë euro.
Pak pas miratimit të buxhetit, në një reagim në rrjete sociale, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi e cilësoi si buxheti i mirëqenies personale të kryeministrit Edi Rama dhe i varfërimit të shqiptarëve. Sipas Bardhit, vota e Edi Ramës dhe deputetëve të tij kundër 34 propozimeve të bëra nga Grupi Parlamemtar i PD në Buxhetin e Shtetit 2025, nuk është votë kundër deputetëve të opozitës, por është votë kundër shqiptarëve.
Reagimi i Bardhit:
Buxheti i miratuar për vitin 2025 është buxheti i mirëqenies personale të Edi Ramës dhe një grushti njerëzish rreth tij, dhe buxheti i thellimit të varfërisë për qytetarët shqiptar.
Vota e Edi Ramës dhe deputetëve të tij kundër 34 propozimeve të bëra nga Grupi Parlamemtar i PD në Buxhetin e Shtetit 2025 nuk është votë kundër deputetëve të opozitës, por është votë:
kundër pensionistëve,
kundër fermerëve,
kundër të rinjëve,
kundër studentëve,
kundër bizneseve,
kundër ish- të përndjekurve,
kundër pronarëve,
kundër shërbimit cilësor shëndetësor apo arsimor,
kudër qytetarëve në nevojë dhe në varfëri ekstreme,
kundër minatorëve,
kundër mësuesve apo kundër mjekëve.
Në vitin e 12 të qeverisjes, edhe me Buxhetin e fundit të qeverisë së tij, Edi Rama provojë edhe njëherë se është në pushtet për mirëqenien e tij dhe rrethit pranë tij, dhe asnjë ditë për mirëqenien e qytetarëve. Në 12 vite vetëm kundër qytetarëve, kundër interesit publik, kundër Shqipërisë.