Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj u shpreh se pas monitorimeve janë rritur vetëm çmimet e perimeve dhe jo ushqimet e tjera.
Në një komunikim për gazetarët, ministrja tha se situata nuk paraqitet shqetësuese dhe qeveria do të ndërhyjë vetëm nëse rriten çmimet e ushqimeve të shportës.
Ndërhyrja sipas saj, do të bëhet me një akt, ku do të subvencionohen vetëm kategoritë në nevojë.
Më tej ministrja theksoi se: “Pasojat e luftës do të kenë ndikim minimal në ekonominë shqiptare dhe më konkretisht në shtresat që nuk mund të përballojnë më rritje të çmimeve.”
“Dje bëmë një ulje domethënës të çmimit të naftës. Në bazë ditore ne monitorojmë çmimet dhe çdo ditë me qëllim që të garantojmë që çmimet në tabelë janë ato që reflektojnë ndryshimet e fundit.
Ditët e fundit që nga mesi i muajit mars, kemi parë një rritje të çmimeve të frutave dhe perimeve që kanë ndikuar në shportë. Inflacioni shënoi 2.6% me rritje të lehtë. Kemi monitoruar çmimet në njësi tregtare, qoftë fruta-perimet por të gjitha produktet e shportës. Reflektimi ka ndodhur në kategorinë e perimeve ndërsa kategoritë e tjera të çmimeve nuk kanë pasur rritje. Nga eksperienca e luftës së Ukrainës, në të gjithë botën u materializua një rritje e inflacionit të ushqimeve. Do të kujdesemi të subvencionojmë shtresat në nevojë”, tha ministrja Ibrahimaj.