“Ministria e vdekjes”, protestohet sërish te MSH pas skandalit te Onkologjiku, mjekët bënin pazar me të sëmurët me kancer

Është mbajtur këtë të hënë protesta e dytë të Ministria e Shëndetësisë pas skandalit me mjekët e Onkologjikut, të cilët bënin pazar me të sëmurët me kancer, pasi nuk u jepnin shërbim në spital, por i dërgonin në klinika private, me qëllim përfitimin ekonomik.

Përpara godinës së ministrisë, protestuesit kanë vendosur një banderolë të madhe, ku shkruhet “Ministria e vdekjes”, ndërkohë janë vendosur edhe forcat e policise, në rast përshkallëzimi të protestës.

Prokuroria e Tiranës doli para pak ditësh me një njoftim ku zbardhi skemën abuzive, në të cilin ishin përfshirë mjekë dhe specialist të Onkologjikut në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdoruar detyrën, pasi në vend që të jepnin shërbim për pacientë me sëmundje tumorale, bënin të kundërtën, duke i orientuar ata drejt spitaleve private më qëllim përfitimin ekonomik. 

Skema abuzimit nuk ndalej vetëm me orientimin tek spitali privat në pronësi të një prej të akuzuarve, mjekët në fjalë drejtonin pacientët e tyre edhe për ilaçe në farmaci private. Për këto të fundit nuk përjashtohet mundësia që të jenë furnizuar po nga mjekët e onkologjiku për nxjerrjen e ilaçeve nga spitali për tregtim në farmacitë e tyre private.