Ministri Ervin Hoxha dhe Policia e Shtetit bëhen lëmsh për “autorin e dytë”, por bashkojnë forcat në sulmin ndaj mediave

Vrasja e Martin Canit dhe deklaratat në media të babait të shokut të tij se në ngjarje është përfshirë edhe një autor tjetër, kanë bërë që tragjedia të shoqërohet me shumë dyshime për fshehje të së vërtetës.

Prej ditësh mediat po tentojnë të nxjerrin në pah të vërtetën e ngajrjes bazuar në deklaratat e babait të Luisit por edhe vetë 14 vjeçarit që mbeti i plagosur, por Policia e Shtetit ka moshuar çdo fjalë të tyre, duke dalë me njoftim se ka patur vetëm një autor.

Pas reagimit të parë, sot Policia ka akuzuar sërish mediat se po dezinformojnë publikun, duke deklaruar se ngjarja ka patur vetëm një autor, ndërkohë që ka treguar edhe dinamikën e ngjarjes, ku ndër të tjera thotë se “nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës”.

Lexo edhe: Policia zbardh dinamikën e vrasjes së Martin Canit dhe akuzon mediat: Ka vetëm një autor, po dezinformoni publikun

Vetëm disa minuta më vonë ka ardhur edhe një reagim nga Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, i cili shpreh mbështetjen për deklaratën e Policisë së Shtetit, teksa konfirmon edhe me përgjegjësinë e tij politike dhe ligjore vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit mbi dinamikën e kësaj ngjarjeje.

Por, në reagimin e ministrit thuhet: Tymnaja mbi ekzistencën e një autori të dytë, i cili paska goditur me një tjetër thikë viktimën është prodhim i papërgjegjshmërisë mediatike, që s’ka asnjë lidhje me të vërtetën dhe me interesin publik.

Tani, cilin reagim duhet të besojmë, atë të Policisë që thotë se shoku i autorit nuk ka goditur autorin, apo ministrin Hoxha që thotë se “autori i dytë” nuk ka goditur viktimën?

Mediat në gjithë këto ditë u janë referuar vetëm deklaratave të Luisit dhe babait të tij, teksa kanë ngritur edhe pyetje që deri më tani nuk kanë marrë ndonjë përgjigje, pavarësisht se shërbejnë për të nxjerrë vetëm të vërtetën.

Lexo edhe: E PLOTË/ Deklarata e babait të Luisit dhe përgënjeshtrimi i menjëhershëm i Policisë, a po tentohet të fshihet autori i dytë?

Sulmet e vazhdueshme nga Policia në drejtim të mediave nuk janë asgjë tjetër veçse një tentativë e Policisë për të fshehur paaftësinë për të zbardhur një ngjarje tragjike, ku kanë të arrestuar autorin dhe dëshminë e një të plagosuri. Këtyre sulmeve iu është bashkangjitur edhe ministri, i cili ka bërë edhe krahasimin me vrasjen e Egli Progës në Pogradec, teksa thotë se këto sulme po përdoren politikisht nga mediat.

Lexo edhe: VIDEO – MISTERI/ 5 ditë për të gjetur çantën dhe thikën, zyrtari i Policisë: Autori i vrasjes së Martinit u mjekua fillimisht te Poliklinika Qendrore, pastaj mori taksi me shokun

Më poshtë keni reagimet e Policisë së Shtetit dhe ministrit Ervin Hoxha.