Minatorët e Bulqizës protestojnë prej tre ditësh, paralajmërojnë grevë urie

Prej tre ditësh minatorët e Bulqizës kanë protestuar teksa kërkojnë rritje page dhe heqjen e punës së detyrueshme gjatë ditëve të shtuna.

Edhe këtë të mërkurë ata janë mbledhur para hyrjes së galerisë më të madhe të kromit në Bulqizë që administrohet nga një kompani turke ndërsa kanë paralajmëruar edhe për grevë urie.

“Në qoftëse nuk i plotësojnë kushtet deri në grevë mund të shkojmë“- tha një prej minarotëve.

“Protesta do vazhdojë se nuk është plotësuar asnjë kusht, dje donin të bënin negociata, po nuk doli asgjë, se nuk u mor asnjë lloj masë duam të shtunën pushim dhe rritje page“- u shpreh një tjetër.

Ndërkohë sipas minatorëve, kompania ka kërkuar të zhvillojë bisedime me ta, por gjithashtu ka deklaruar se momentalisht është e pamundur ngritja e pagës, që është një prej kërkesave kryesore.