GJKKO ka shtyrë seancën ndaj të pandehurve të dosjes “Metamorfoza”, për shkak se mungonte ish-prikurori Xhevahir Lita dhe avokati i tij.
Seanca e radhës është caktuar për më datë 24 maj, në orën 10:00.
Rikujtojmë se pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet për biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish shefin e Operacionales, Oltion Bistri, ish prokurorin Xhevahir Lita dhe 4 të tjerë, të arrestuar në kuadër të operacionit policor “Metamorfoza”, duke u komunikuar zyrtarisht akuzat ndaj tyre.
Përvec tyre, SPAK përfundoi hetimet dhe ka dërguar për gjykim Behar Bajri, Astmer Bilali, Edmond Preka, Ardrit Hasanbegaj.
Ndaj tyre rëndojnë akuza të rënda, si organizim vrasjesh, grupi i strukturuar kriminal, apo kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale.
Ndaj Oltion Bistrit është ngritur akuza për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ndaj Pëllumb Gjokës, akuzat për “Vrasja me paramendim”, në dëm të viktimës Gjin Ndoj (Boriçi), “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Kleant Musabelliu, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Ndërsa ish-prokurori akuzohet për “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer 2 (dy herë), dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.