Metamorfoza e universiteteve shqiptare, studentët largohen dhe një pjesë e mirë e programeve të studimit rrezikojnë të mbyllen

Ky vit akademik ka shënuar një ulje të theksuar të numrit të studentëve. Në krahasim me vitin që lamë pas, një raport monitorimi i përgatitur nga Qëndresa Qytetare ka treguar se ka rreth 6.6% aplikime më pak.

Teksa shifrat e studentëve ulen, duket se në proporcion të zhdrejtë po rritet disponibiliteti i institucioneve të arsimit të lartë, duke shkuar nga 555 programe studimi për vitin 2022 në 653 programe studimi për vitin akademik 2023. Po ashtu është rritur ndjeshëm edhe numri i kuotave të pranimit nga këto institucione.

Kjo rritje nuk duket se ka sjellë ndryshim për universitetet shqiptare, pasi në nëntë universitetet kryesore të vendit rrezikojnë të mbyllen 30.5% e programeve të studimit, ku vendin e parë e mban Universiteti i Elbasanit me 46.6% të programeve të cilat kanë më pak se dhjetë studentë të regjistruar.

Për t’i paraprirë situatës Ministria e Arsimit dhe Sportit erdhi me vendimin për programet e studimit që konsiderohen prioritet kombëtar, nga ku studentët që do të zgjidhnin këto degë të paracaktuara do të përfitonin një bursë mujore në vlerën e pagës minimale dhe përjashtim nga tarifa e studimit. Por numri i studentëve të regjistruar ka treguar se ata nuk i preferojnë këto programe studimi, pasi nuk u ofrohet siguria në tregun e punës.

Situata e studentëve në rrethe ka treguar se preferohen programet e studimit dyvjeçare me karakter profesional, si dhe programet e studimit për mami dhe infermieri të përgjithshme.

Fenomeni i regjistrimeve të larta në këto dy  programe studimi sjell një sfidë të madhe për shoqërinë shqiptare: fenomenin “brain drain”. Kreu i shoqatës së infermierëve, Elson Jaçaj, shprehet për Qëndresën Qytetare se gjatë periudhës 2020-2023 nga vendi janë larguar rreth 16 mijë infermierë.

Për të rritur nivelin e meritokracisë, më 24 tetor, 2022 Universiteti i Mjekësisë i Tiranës së bashku me Qendrën e Shërbimeve Arsimore lidhën një marrëveshje bashkëpunimi për të organizuar një provim të informatizuar për të gjithë kandidatët e programit

të studimit “Mjekësi e Përgjithshme”.

Ajo çfarë u vu re ishte rënia drastike e numrit të aplikantëve, e cila erdhi si pasojë e ligjit për mjekët e rinj, i cili i detyron ata të punojnë në Shqipëri për pesë vite pas diplomimit të tyre.

E në gjithë këtë panoramë, gati 40% e maturantëve të vitit shkollor 2022-2023 deklaruan se do të studiojnë jashtë vendit.

Universitetet shqiptare ndër vite kanë pësuar ndryshime, por metamorfoza ende nuk ka sjellë një nivel edukimi cilësor.

Qëndresa Qytetare pas raportit të monitorimit ka dalë me këto rekomandime:

Universitetet që gjenden jashtë qytetit të Tiranës duhet të profilizohen në mënyrë që të sigurohet një shpërndarje e balancuar e studentëve në gjithë vendin dhe të evitohen programet e studimit për të cilat interesi është i ulët.

● Për programet e studimit të cilat konsiderohen prioritet kombëtar duhet të kishte transparencë të shtuar për t’i vënë në dijeni studentët se jo të gjithë do mund të përfitojnë nga bursa. Gjithashtu, duhet të ishte vendosur një numër i paracaktuar kuotash të cilat do mund të përfitonin nga kjo bursë.

● Bursat e programeve të studimit që konsiderohen prioritet kombëtar nuk duhet të veprojnë vetëm si një mbështetje e përkohshme, por duhet të vijnë në formën e një paketë solide ku studentëve t’u garantohet punësimi pas diplomimit.

● Të shfuqizohet ligji nr. 60, 2023, “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë ‘Mjekësi e

përgjithshme’ në institucionet publike të arsimit të lartë” në mënyrë që të rriten aplikimet cilësore gjatë vitit të ardhshëm akademik (2024-

2025).

● Të vendosen provime të informatizuara në programet e studimit ku interesi dhe konkurrenca e aplikantëve është më e lartë në mënyrë që procesi i konkurimit të jetë meritokratik.