Meta planifikon të investojë qindra miliarda dollarë për ndërtimin e qendrave të të dhënave për inteligjencën artificiale

Kompania teknologjike Meta po planifikon të investojë qindra miliarda dollarë për të ndërtuar qendra të mëdha të të dhënave të fuqizuara nga inteligjenca artificiale në Shtetet e Bashkuara. Investimi është pjesë e përpjekjeve për të zhvilluar teknologji të avancuar që synon të arrijë nivele të ashtuquajtura “superinteligjente”, më të sofistikuara se mendja njerëzore.

Qendra e parë e madhe e të dhënave, e quajtur Prometheus, do të ndërtohet në New Albany, Ohio dhe pritet të hyjë në funksion në vitin 2026. Një tjetër qendër, e quajtur Hyperion, do të ndërtohet në Louisiana dhe pritet të jetë plotësisht funksionale deri në vitin 2030. Këto qendra do të kenë kapacitete shumë të larta, që matet në gigavatë, dhe do të zënë sipërfaqe të krahasueshme me madhësinë e Manhattanit.

Meta synon të ndërtojë disa klastra të mëdhenj të fuqisë kompjuterike, secili me potencial për të trajtuar volume të mëdha të të dhënave dhe për të përpunuar modele komplekse të inteligjencës artificiale. Këto klastra janë dizenjuar për të mbështetur ambicien e kompanisë për të qenë lider global në fushën e AI-së.

Kompania, e njohur kryesisht për të ardhurat që gjeneron nga reklamat online, realizoi mbi 160 miliardë dollarë të ardhura në vitin 2024. Me projektet e reja, Meta po zhvendos një pjesë të konsiderueshme të fokusit drejt teknologjive të së ardhmes.

Qendrat e të dhënave të fuqizuara nga AI janë jashtëzakonisht intensive në energji dhe ujë. Sipas vlerësimeve, këto qendra mund të konsumojnë rreth 1.7 trilionë gallonë ujë në shkallë globale deri në vitin 2027. Edhe një kërkesë e vetme në një platformë AI, si për shembull ChatGPT, mund të konsumojë sasi të krahasueshme me një shishe të vogël uji.

Ndërsa ndërtimi i këtyre strukturave kërkon investime kolosale dhe ka ndikim të madh mjedisor, ato gjithashtu përfaqësojnë një hap të rëndësishëm në zhvillimin teknologjik të inteligjencës artificiale në shkallë globale.