Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën për shqyrtimin e kërkesës së avokatëve të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për zëvendësimin e masës së sigurisë.
Gjyqtari Erion Bani, shpalli moskompetencën për të vendosur në lidhje me zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Ilir Metën, ndaj të cilit rëndojnë tre akuza.
Shpallja e moskompetencës u bë pas kërkesës së avokatit Kujtim Cakrani, për shkak se Erjon Bani nuk ka qenë gjyqtari i çështjes së Ilir Metës, por ka qenë i gatshëm.
Ish-presidenti i vendit nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua vetëm nga avokati i tij.
Pak ditë më parë, SPAK i njoftoi mbylljen e hetimeve dhe i komunikoi akuzat ish-presidentit Ilir Meta për dosjen CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion.
Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, tha se do të vazhdojnë betejën e tyre deri në lirimin e Metës.
“Ilir Meta do të lirohet, nuk ka arsye që të vazhdojë në paraburgim. Beteja do të vazhdojë”, tha avokati i tij.