Mesazh edhe për NATO/ Donald Trump: Prodhoni në SHBA ose do të paguani tarifa

Presidenti amerikan Donald Trump bëri ​​një paralajmërim të hapur për elitat globale në një videomesazh drejtuar Forumit Ekonomik Botëror në Davos: Prodhojeni produktin tuaj në SHBA ose paguani tarifa.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Trump prezantoi planet e tij për të ulur taksat, për të hequr kufizimet nga industritë dhe për të goditur imigracionin e paligjshëm.

Por, ai dha edhe një mesazh të ashpër. “Ejani prodhojeni produktin tuaj në Amerikë dhe ne do t’ju ofrojmë taksat më të ulëta se në çdo komb tjetër”, tha Trump.

“Por, nëse nuk e prodhoni produktin tuaj në Amerikë, që është prerogativa juaj, atëherë shumë thjesht do të duhet të paguani një tarifë”, shtoi ai.

Në fjalimin e tij të gjatë, Trump bëri një lidhje midis luftës në Ukrainë dhe çmimeve të naftës.

Trump tha se do t’i kërkonte Arabisë Saudite dhe Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës të ulnin çmimet e naftës së papërpunuar.

“Nëse çmimi do të ulej, lufta Rusi-Ukrainë do të përfundonte menjëherë”, tha ai.

Po ashtu ai përsëriti këtë të enjte dëshirën e tij që të gjitha vendet anëtare të NATO-s të shpenzojnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për buxhetet e tyre të mbrojtjes, ndërsa foli virtualisht në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, që po mbahet në Zvicër.

“Unë do t’u kërkoj gjithashtu të gjitha vendeve të NATO-s që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBB-së, që është ajo që duhet të ishte vite më parë,” tha ai.