Mes tensionesh dhe debatesh, Arqile Bollano zgjidhet kryetar i komanduar i Bashkisë Himarë

Ashtu siç pritej sot u mblodh Këshilli Bashkiak i Himarës për të votuar një tjetër emër si kryetar të komanduar të Bashkisë, pas dorëheqjes së Blerina Balajt.

Mes tensionesh dhe debatesh, anëtarët zgjodhën Arqile Bollanon në krye të Bashkisë. Bollano është njeriu i afërt i ish kryebashkiakut socialist Jorgo Goro dhe ishte caktuar pak ditë më parë si nënkryetar i bashkisë nga kryetarja Balaj.

Procesi, i cili filloi me vonesë, nisi me leximin e letrës që Balaj kishte dorëzuar për dorëheqjen. Më pas nisi votimi mes kandidatëve ku u zgjodh me 12 vota pro dhe 9 kundër Arqile Bollano. Pas këtij vendimi, kandidati tjetër Pervin Gjikuria ka dhënë dorëheqjen.

Zgjedhja e kryetarit të ri të komanduar vjen pasi kryetarja Blerina Balaj dha dorëheqjen pasi qëndroi e komanduar për 2 muaj. Ajo paraqiti dorëheqjen të mërkurën dhe njoftoi se arsyet e vendimit ishin personale.

Bala mori detyrën e kryetares pas arrestimit të Jorgo Goros me akuzën e tjetërsimit të dy pronave. Ndërkohë kryetari i zgjedhur më 14 maj 2023 për bashkinë e Himarës Fredi Beleri ndodhet në burg për blerje votash.