Merkel: Trump është një kërkues vëmendjeje, kriza e borxhit grek më bëri të qaj

Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, e përshkroi presidentin amerikan Donald Trump si një kërkues vëmendjeje.

Duke folur në një ngjarje të organizuar nga gazeta greke Kathimerini në Athinë, me rastin e promovimit të përkthimit në greqisht të kujtimeve të saj, “Liria”, Merkel kujtoi momentin kur Trump refuzoi t’i jepte dorën gjatë një takimi në Zyrën Ovale në mars të vitit 2017, por që më pas e bëri këtë jashtë dhomës, kur kamerat nuk ishin të pranishme.

“Bëra gabimin dhe i thashë: ‘Donald, duhet të shtrëngojmë duart’, dhe ai nuk pranoi. Donte të tërhiqte vëmendjen te vetja. Kjo është ajo që kërkon: të shpërqendrojë dhe të gjithë ta shikojnë atë,” tha Merkel. “Këtë e sheh edhe te veprimet e tij me tarifat. Në fund të fundit, ai duhet të sjellë rezultate të mira për popullin amerikan. Duhet të dëshmojë aftësitë e tij, të paktën për vendin e vet.”

Merkel shtoi se evropianët “duhet të qëndrojnë të bashkuar dhe të mos tremben kur Trump vendos tarifa të reja ndaj bllokut, por të përgjigjen me tarifa nga ana jonë.”

“Nuk po them se duhet t’i ndërpresim marrëdhëniet me SHBA-në, por duhet të negociojmë. As SHBA nuk mund të mbijetojë e vetme,” shtoi ajo, duke theksuar: “Shoh një zhvillim problematik. Kur nënpresidenti [JD] Vance thotë: ‘jemi partnerë dhe do t’ju mbështesim vetëm nëse pajtoheni me konceptin tonë të lirisë’, që do të thotë pa rregulla dhe pa kontroll, kjo është në fakt një kërcënim për demokracinë tonë.”

Merkel dhe Trump kanë pasur gjithmonë një marrëdhënie të vështirë. Në kujtimet e saj, ajo shkruan për Trump: “Ai e gjykonte gjithçka nga këndvështrimi i një sipërmarrësi të pasurive të paluajtshme, që kishte qenë përpara politikës. Çdo pronë mund të ndahej vetëm një herë. Nëse nuk e merrte ai, e merrte dikush tjetër. Kështu e shihte edhe botën.”

“Për të, të gjitha vendet ishin në konkurrencë me njëra-tjetrën, ku suksesi i njërit ishte dështimi i tjetrit; nuk besonte se mirëqenia e të gjithëve mund të rritej përmes bashkëpunimit.”

‘Një grua qan në një samit’

Vizita e ish-kancelares gjermane në Athinë erdhi vetëm pak ditë para përvjetorit të 10-të të referendumit të vitit 2015 për paketën e shpëtimit të Greqisë.

Ajo përshkroi bisedën telefonike me ish-kryeministrin grek Alexis Tsipras, gjatë së cilës mësoi se Greqia do të organizonte një referendum për të pranuar ose refuzuar kushtet e paketës së shpëtimit nga kreditorët ndërkombëtarë — një veprim që mund të kishte çuar në largimin e Greqisë nga eurozona.

Merkel tha se telefonata ishte momenti më “befasues” i karrierës së saj politike dhe e la atë “pa fjalë”, sidomos kur mësoi se Tsipras do të bënte fushatë për një votë “jo”. Megjithatë, ajo tha se me kohë u “afruan më shumë” dhe se “ai ishte i ndershëm” dhe “nuk u përpoq ta mashtronte.”

Ish-kancelarja tregoi gjithashtu se ajo dhe ish-presidenti amerikan Barack Obama kishin mendime të ndryshme për mënyrën se si duhet trajtuar borxhi në rritje i Greqisë. Obama, sipas saj, nuk kuptonte aspektet ligjore ose mënyrën se si funksionojnë Bashkimi Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane ndryshe nga Rezerva Federale amerikane.

“Në një moment shpërtheva në lot nga presioni,” tha Merkel, duke shtuar me një buzëqeshje: “Një grua qan në një samit.”

Merkel tha se kurrë nuk e kishte dëshiruar daljen e Greqisë nga eurozona. “Nuk mund ta imagjinoj Evropën pa Greqinë si një anëtare të fortë,” tha ajo./Politico.com

Përktheu dhe redaktoi në shqip, Media Ditari