Muajt e verës, më shumë sesa te loja e zhvilluar, vëmendja e sportdashësve në botë përqëndrohet te merakto verore, për të parë transferimet e bujshme që do të ndodhin.
Ndërkohë, në Shqipëri merkato e futbollistëve pritet të mos ketë shumë ndryshime, teksa vëmendja është përqëndruar te “merkato” që ka hapur SPAK, që po studion çdo mundësi për të firmosur me zyratrë të lartë dhe për t’i transferuar drejt qelisë së burgut.
Merkato e SPAK nisi më së miri me Safet Gjicin, një njohës i mirë i futbollit pasi për shumë vite ka drejtuar ekipin e Kukësit si President. Gjicit i mjaftoi një video-skandal për t’u transferuar drejt qelisë, me SPAK që bëri një punë të mirë dhe arriti të konkretizonte “marrëveshjen” Brenda 2 ditësh.
Goditja e madhe e merkatos së SPAK deri më tani është ish-ministri Arben Ahmetaj, kontratën e të cilit SPAK e ka gati dhe të firmosur, por për momentin Ahmetaj ndodhet në “fazë përgatitore” diku nëpër botë, pavarësisht se qelinë dhe numrin ia kanë bërë gati, ashtu siç e meriton.
Por duket se SPAK do të kompletoj ekipin e burgut edhe me të tjerë “lojtarë” të mëdhenj. Hetimet për inceneratorin e Tiranës dhe tenderin e “Check up” duket se do të afrojnë në ekip edhe Erion Veliaj dhe Ilir Beqajn. Presidenti i ekipit të SPAK, Altin Dumani, po bën të pamundurën që në skuadër të ketë lojt6arë cilësorë, në mënyrë që të dobësojë korrupsionin në Shqipëri.
Damian Gjiknuri është një tjetër “Top Player” që pritet t’i drejtohet dyerve të Prokurorisë së Posaçme, pasi është një person që ka dijeni mbi aferën e inceneratorëve. “zhveshja” nga pushteti që i bëri kryeministri Rama, mund të jetë një sinjal që Gjiknuri së shpejti mund të ketë fatin e disa prej ish-kolegëve.
Pezullimi i fondeve nga BE për bujqësinë në Shqipëri mund të sjellë një tjetër alternativë për SPAK, pasi ministrja Frida Krifca me shumë gjasë do të thirret për të dëshmuar në Prokurorinë e Posaçme në lidhje me abuzimet që janë kryer.
Ne i urojmë suksese, pasi me SPAK janë tifozë të gjithë shqiptarët!