Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi lëviznin me një sasi lënde narkotike. Gjatë operacionit policor “Zalli” u arrestuan M. B., 30 vjeç, dhe S. R., 23 vjeç pasi në makinën me të cilën udhëtonin, u gjetën mbi 3 kg kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë policia po punon për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë trafik droge.
Njoftimi:
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Zalli”.
Sekuestrohen rreth 3 kg e 100 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, arrestohen dy shtetas.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Zalli”.
Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit M. B., 30 vjeç, dhe S. R., 23 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në Babrru, dy shtetasit e lartpërmendur dhe gjatë kontrollit të automjetit të shtetasit M. B., gjetën lëndën e dyshuar narkotike e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë.