Mbyllja e rrjeteve sociale, hapi i radhës drejt rikthimit të diktaturës në Shqipëri

Sondazhi i publikuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RÇ) nxori në pah problemin e mediave në Shqipëri, ku pjesa dërrmuese e të anketuarve mendonin se televizionet dhe mediat tradicionale në Shqipëri janë të anshme.

Edhe pa këtë sondazh, shqiptarët e dinin mirë se si pushteti ka kapur pjesën më të madhe të mediave në vendin tonë, të cilat vihen në dispozicion të propagandës qeveritare, duke tentuar të fshehin edhe disa nga skandalet më të mëdha në vendin tonë.

Por, nëse mediat janë kapur, e kundërta ndodh në rrjetet sociale, aty ku opozitarët e vërtetë kanë mundësi t’u tregojnë të gjithëve se çfarë ndodh në vendin tonë jashtë propagandës së shfrenuar të kryeministrit Rama dhe kabinetit të tij.

Tik Tok kishte filluar kohët e fundit të ishte dritarja ndoshta e vetme e shumë politikanëve të rinj që të denonconin aferat korruptive dhe të shpalosnin programet e tyre, për të kërkuar edhe mbështetjen e shqiptarëve kudo që ndodhen.

Kjo liri e “tepruar” binte ndesh me programin e qeverisë, ndaj edhe kryeministri Rama gjeti rastin për ta bllokuar, duke marrë si shkas vrasjen e 14 vjeçarit Martin Cani, pavarësisht se konflikti mes tij dhe autorit të vrasjes nuk kishte nisur në Tik Tok, pasi ata nuk kishin llogari në këtë rrjet social.

Por, Rama harroi dështimin që ka siguria në shkolla, aq shumë e propaganduar nga Taulant Balla në kohën që ishte Ministër i Brendshëm.

Pas disa takimesh në pak qytete, ku 80% të kohës fliste vetë e propagandonte, ndërsa në pjesën tjetër i drejtoheshin pyetje të dirigjuara, kreu i qeverisë mori një vendim drastik për ta bllokuar këtë rrjet social.

Ka vite që çdo mendim i kryeministrit bëhet ligj në këtë vend, ndaj edhe mbyllja e Tik Tok do të bëhet padiskutim, për sa kohë që Rama mendon se kjo është e drejtë, për pushtetin e tij.

Por, mbyllja e një rrjet social nuk është e lehtë, ashtu siç rezultoi edhe mbyllja e Agon Channel, që tashmë Shqipëria duhet t’i paguajë biznesmenit Francesco Becchetti më shumë se 110 milionë euro, për shkak se nuk i bindej qeverisë.

Tik Tok nuk duket se do ta kapërcejë lehtë këtë vendim të qeverisë shqiptare, ndaj nuk përjashtohet që të kemi edhe një përballje në gjyq, nëse zyrtarët e kompanisë do ta shohin të arsyeshme.

Mbyllja e Tik Tok është kufizim i fjalës së lirë për qytetarët që kanë zgjedhur këtë rrjet social për të shprehur mendimet e tyre. Gjithashtu, me mbylljen e Tik Tok do të falimentonin dhe një sërë biznesesh me aktivitet online, që reklamonin produktet e tyre në këtë rrjet social.

Ndërkohë, nuk duhet harruar që nëpërmjet Tik Tok, janë mbledhur qindra mijëra euro për shumë fëmijë të sëmurë, që shteti nuk i ndihmoi, por shqiptarët u solidarizuan dhe i dërguan për mjekim jashtë vendit.

Kufizimi i lirive të fjalës ndodh vetëm në komunizëm, një sistem që shqiptarët e njohin mjaft mirë dhe i kanë ende kujtimet e asaj kohe që s’duhet të kthehet më.

Por, ky vendim për të kufizuar lirinë e fjalës e të mendimit, e për të bllokuar denoncimin e aferave korruptive, nuk është asgjë tjetër veçse hapi i radhës për rikthimin e diktaturës në këtë vend.

Këtë herë duket se do të jetë më e moderuar, por diktatura mbetet diktaturë!