Pezullimi i Belinda Ballukut nga GJKKO e detyroi sërish kryeministrin Rama të nisë një tjetër fushatë propagande kundër drejtësisë.
Por këtë herë, drejtësia shkoi shumë afër tij, te numri 2 i qeverisë dhe një nga njerëzit më të pushtetshëm në vend, që për vite me radhë është akuzuar për shpërdorimin e parave të qytetarëve shqiptarë.
Pas një bisede më shumë se 7 orë në Kryeministri, Rama së bashku me Ballukun, me ndihmën edhe të Ulsi Manjës, vendosën që çështjen ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese, si fija e fundit e shpresës për ta mbajtur zv.kryeministren në pushtet.
Më pas, kryeministri në deklaratat e tij dhe në postimet në rrjetet sociale, filloi të sulmojë prokurorët, që për fatin e tij të keq i kanë çuar prapa hekurave shumë nga njerëzit e tij të besuar. E njëjta gjë siç ndodhi edhe kur u arrestua Erion Veliaj!
Por, sa i vërtetë është Rama kur tenton të mbrojë njerëzit e tij të korruptuar?
Pavarësisht se perceptimi është se SPAK i ka shkuar shumë afër Ramës, është shumë e vështirë që prokurorët e posaçëm të bëjnë akuzojnë kreun e qeverisë për ndonjë aferë, sidomos me këtë pushtet absolut që ai ka tani.
Edhe pse fillimisht tenton t’i mbrojë të besuarit e tij që akuzohen nga SPAK, koha ka treguar se kjo mbrojtje është vetëm një aktrim i kryeministrit, që nuk e ka problem t’i lëshojë të gjithë për të ruajtur veten.
Rasti Veliaj tregoi se për Ramën nuk ka rëndësi emri që shkon në SPAK, për sa kohë atij nuk i hyn gjëmbë në këmbë. Për kryebashkiakun i mjaftuan 10 ditë sulme ndaj SPAK, e më pas urdhëroi të gjithë partinë që jo vetëm mos ta mbronin Veliajn publikisht, po mundësisht as të mos ia përmendnin emrin fare.
Për të shkuar më pas deri te shkarkimi i tij, duke urdhëruar Këshillin Bashkiak të Tiranës, e më pas duke urdhëruar edhe Presidentin Begaj, i cili firmosi një dekret anti-kushtetues me urdhër të kryeministrit, edhe pse kjo nuk ishte hera e parë që firmoste dekretet të tilla.
Sot, e njëjta gjë po ndodh me Belinda Ballukun. Rama po mbron zëvendësen e tij, por vështirë se kjo do të ndodhë për shumë gjatë. Kryeministri po pret që edhe Gjykata Kushtetuese të lërë në fuqi vendimin e GJKKO, pasi e di shumë mirë se Ballukun nuk ka ligj e as “Maliq” që e shpëton.
Sapo Kushtetuesja të vendosë, do të bëhet menjëherë zëvendësimi i Ballukut me një tjetër figurë politike, që brenda PS-së thonë se do jetë Ogerta Manastirliu, por nuk është çudi që Rama të surprizojë me një emër tjetër.
Pas vendimit, merr fund edhe karriera pushtetare e Belinda Ballukut, që do të duhet të përballet e vetme me drejtësinë, teksa SPAK mund të kërkojë heqjen e imunitetit dhe një masë më të rëndë sigurie, për ta larguar përfundimisht edhe nga politika dhe Partia Socialiste.
Në fund, Rama do të vijojë të mbajë pushtetin i pashqetësuar, pasi ministrat dhe deputetët janë thjesht “kukulla” që mund të zëvendësohen lehtë, sa herë nuk i duhen më kryeministrit.