Është mbledhur Këshilli i Sigurimit Kombëtar, që ka në fokus sigurinë kibernetike dhe masat e marra për forcimin e saj. Këshilli u mblodh me urdhër të presidentit Bajram Begaj.
Në deklaratën e tij, Begaj rikujtoi se një vit më parë infrastruktura dixhitale e Shqipërisë u përball me sulme kibernetike nga Irani dhe këto sulme tashmë janë sofistikuar.
“Pavarësisht masave të marra, aktorët kërcënues kibernetikë, kryesisht të mbështetur dhe financuar nga Republika Islamike e Iranit e kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre. Sulmet kibernetike janë shtuar si në sasi, por janë bërë edhe më të sofistikuar. Një vit pas sulmeve, është koha të reflektojmë se çfarë kemi bërë, sa të përgatitur jemi në përballje me sulme të mundshme. Të vendosim se ku duhet të fokusohen përpjekjet dhe investimet tona, për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes kibernetike. Krahas sigurisë kibernetike, ne do diskutojmë edhe për çështje të tjera me rëndësi për sigurinë”, deklaroi presidenti.