Mblidhet Këshilli i Sigurimit të OKB për tensionet në Lindjen e Mesme

Ditën e sotme, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një takim  për të diskutuar rreth dhunës që po përhapet në të gjithë Lindjen e Mesme.

Në këtë takim Kina pritet të bëjë thirrje që OKB të njohë plotësisht Palestinën si një hap drejt zgjidhjes së konfliktit me Izraelin.

Përpara takimit, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov , u takua me homologun e tij iranian, Hossein Amir-Abdollahian, për t’i kërkuar Izraelit të binte dakord për një armëpushim dhe të paralajmëronte SHBA-në që të mos përhapin konfliktin.

Takimi vjen pas një fushate të dytë sulmesh të koordinuar SHBA-Britani në thellësi të bastioneve Houthi në Jemen, si dhe lajmet për rritjen e lartë të  luftimeve në Gazën jugore.

“Në të njëjtën kohë që Amerika dhe Anglia nisën sulmet e saj kundër Jemenit, pamjet satelitore tregojnë se 230 anije tregtare dhe nafte po lëviznin në Detin e Kuq dhe kjo tregon se ata e kanë kuptuar mesazhin e Jemenit se po ndalojnë vetëm anijet që shkojnë në portet e regjimit sionist”, tha diplomati i lartë iranian Amir-Abdollahian.

Ai shtoi se në një bisedë me sekretarin e jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, javën e kaluar në Davos, e quajti sulmin ndaj rebelëve Houthi si gabim strategjik.