Mbledhja e Këshillit të Mandateve u shty pa afat, Bardhi: Urdhër politik i Ramës, çdo ditë në liri e Belinda Ballukut nënkupton prishje të provave

Anëtarët e opozitës në Këshillin e Mandateve dolën sot në një konferencë, një ditë pasi mbledhja e radhës u shty pa një datë të caktuar, në një kohë që SPAK ka kërkuar që zv.kryeministres, Belinda Balluku t’i hiqet imuniteti.

Gjatë kësaj konference, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha se shtyja e mbledhjes pa afat është një akt politik i urdhëruar nga kryeministri Edi Rama.

Bardhi tha se çdo ditë në liri e Ballukut, nënkupton prishje të provave nga ana e zv.kryeministres, ndërsa bëri thirrje për mbledhjen sa më shpejt të Këshillit të Mandateve.

Sipas Bardhit, çdo ditë në liri e zv/kryeministres, cenon hetimin dhe rrezikon prishjen e provave

“Dënojmë me forcë aktin që kryetari i Kuvendit bëri gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Mandateve gjatë shqyrtimit të kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Si në asnjë rast tjetër, Niko Peleshi shtyu mbledhjen e Këshillit pa caktuar një afat, kur do të marrë në shqyrtim kërkesën.

Është akt politik, i urdhëruar nga Edi Rama, për të mbrojtur korrupsionin e tij, zv.kryeministres dhe qeverisë së tij.

Kemi kërkuar me forcë mbledhjen një orë e më parë të Këshillit të Mandateve për miratimin e kërkesës së Prokurorisë.

Çdo ditë në liri e Belinda Ballukut, nënkupton prishje të provave e intimidim të dëshmitarëve”- tha ndër te tjera Bardhi gjatë konferencës për media.