Përveç anijeve të mbytura historike, Ngushtica e Çanakalasë, që njihet ndryshe edhe si Dardanelet strehojnë edhe vende të ndryshme zhytjeje që tërheqin vëmendjen e entuziastëve të zhytjeve nënujore.
Njëra prej tyre është anija “Captain Frangos”, e cila u fundos në thellësi të detit pas aksidentit që ndodhi më 19 shkurt 1968.
Një anije mallrash me flamur grek që udhëtonte nga Malta për në portin bullgar të Varnës u përplas me një anije tjetër, Dimos, e cila udhëtonte në të njëjtin drejtim.
Pas përplasjes, anija afërsisht 125 metra e gjatë dhe 1.530 tonë u fundos shpejt dhe mbeti përmbys në shtratin e detit në pjesën ku janë rrymat e Dardaneleve.
E vendosur në një thellësi prej afërsisht 47 metrash, anija e mbytur është mbuluar me sfungjerë dhe korale të kuqe të buta gjatë viteve, duke e shndërruar atë në një habitat për jetën detare.
Anija gjendet në një pikë ku rryma është e fortë, ndërsa paraqet kushte sfiduese për fotografët nënujorë dhe entuziastët e zhytjes.
Ndërsa dukshmëria zvogëlohet gjatë muajve të verës, silueta e anijes nuk mund të shihet derisa të zbresësh në një thellësi prej afërsisht 30 metrash.
Prandaj, zhytësit duhet të bëjnë më shumë se një zhytje për të eksploruar të gjithë rrënojat. Anija, e cila u fundos në fund të detit bashkë me ngarkesën e saj të asfaltit, po tërheq vëmendjen e studiuesve edhe me ndikimin e saj në mjedis.
Edhe pse nuk është një anije e mbytur historike, “Captain Frangos” kontribuon në turizmin e zhytjes në rajon duke i shtuar një dimension të ri trashëgimisë nënujore të Dardaneleve.