Mbahet sot konferenca e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE

Këtë të hënë mbahet në Luksemburg konferenca e katërt ndërqeveritare BE-Shqipëri, ku pritet që të hapet grupkapitulli i dytë i negociatave “Tregu i Brendshëm”.

Ky grupkapitull përfshin nëntë kapituj tematikë, që prekin fusha themelore për integrimin ekonomik dhe ndërtimin e tregut të lirë, si: lëvizja e lirë e mallrave, punëtorëve dhe kapitalit, shërbimet financiare, mbrojtja e konsumatorëve, konkurrenca dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.

Kryeministri Edi Rama në një prononcim të shkurtër për mediat së bashku me presidentin e Këshillit të Evropës, Antonio Kosta me të cilin u takua në Bruksel para se të udhëtojë për në Luksemburg tha se sot është një ditë e mirë për vendin.

“Ndaj vendit dhe rajonit tonë, diçka që e vlerësoj shumë. Sot është ditë e mirë për ne sepse kemi një tjetër konferencë dhe çelim kapituj të tjerë, ndërkohë që me presidentin jam shumë mirënjohës për kohën që më ka kushtuar për një bisedë rreth përparimit në këtë proces dhe më pas për samitin e ardhshëm të Komunitetit Politik, aktivitet i rëndësishëm por ka rëndësi të posaçme në këtë moment. Do të flasim për rajonin, ndaj të cilit presidenti është veçanërisht i përkushtuar. Në përgjithësi jam i inkurajuar nga këto zhvillime dhe jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat e kalendarit për të përmbyllur të gjitha negociatat.”, u shpreh Rama.