Mazhoranca nuk do të ulë çmimin e naftës, rrëzohet kërkesa e PD

Që prej orës 10:00 të kësaj të enjteja ka nisur punimet seanca plenare, ku nuk munguan edhe debatet mesa mazhorancës dhe opozitës.

Gjatë seancës, Partia Socialiste rrëzoi kërkesën e opozitës për projektligjin për uljen e çmimit të naftës, ku kërkohej procedurë e përshpejtuar.

Por me 77 vota pro, kjo kërkesë u rrëzua, edhe pse vjen në një moment ku çmimi i karburanteve në vend është rritur ndjeshëm për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë kreu i Kuvendit, Niko Peleshi tha se projektligji i propozuar nga PD do të diskutohet më datën 30 prill.

Megjithatë ky vendim solli reagime nga ana e opozitës, si nga deputeti Eno Bozdo që kishte propozuar këtë nismë, edhe nga kreu i grupit të demokratëve, Gazment Bardhi.

“Opozitën e trajtoni me urrejtjen më të madhe! Një datë të kërkojmë ne, ju votoni kundër! Luani rolin tuaj si mbi palët, si moderator i debatit dhe s’bëni gabim që një herë të vetme në 6 muaj t’i kërkosh kolegëve ta mbështesë kërkesën e opozitës ose të paktën ndiq modelin e Lindita Nikollës dhe Elisa Spiropalit, dil njëherë nga rreshti se s’të gjen gjë! Një datë po kërkojmë!”, tha Bardhi.

Gjatë seancës së sotme, po ashtu PS rrëzoi një tjetër kërkesë të Partisë Demokratike për zhvillim me urgjencë të debatit për raportin e DASH për klimën e investimeve në Shqipëri. Me propozim të kreut të grupit parlamentar të PS, u pranua zhvillimi i debatit më 14 maj.