Rritja e pagave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk do të miratohet as në seancën e nesërme plenare, duke u shtyrë sërish nga ana e mazhorancës.
Pavarësisht se ky projektligj ishte në rendin e ditës në çdo seancë plenare në 2 javët e fundit, këtë herë në njoftimin e Kuvendit për senancën e nesërme, votimi i këtij projektligji nuk është i përfshirë.
Në seancat e mëparshme mazhoranca nuk ka arritur dot të bëjë 84 votat e nevojshme, pavarësisht se Lulzim Basha dhe deputetët që e mbështesin janë shprehur që do t’i bashkojnë votat me Partinë Socialiste për miratimin e këtij ligji.
Disa mungesa nga ana e deputetëve socialistë, shoqëruar edhe me mungesën e kryeministrit Rama, arratisjen e Arben Ahmetajt apo kundërshtimin e Fatmir Xhafajt, kanë trembur mazhorancën, që ka preferuar të mos e kalojë për votim deri në momentin që do të sigurohet se do të ketë të sigurta 84 votat që i duhen.
Ndërkohë, nuk dihet nëse presioni i opinionit publik dhe demokratëve që u ndjenë të tradhtuar nga deklarata e Bashës për bashkimin e votave me mazhorancën, e ka detyruar atë të ndryshojë qëndrim, apo vetëm po pret momentin që të votojë këtë ligj kaq shumë të kontestuar nga opozita.
